EKSKLUZIVE/ “Formula e Superiores të hiqet urgjentisht”, analiza e Çobani: Jorgji gabon me dashje (E PLOTË)
Dinamo nuk po kalon një moment të mirë në kampionat dhe kjo pasqyrohet në rezultatet që kryeqytetasit kanë në fushë, megjithatë ish-futbollisti i “nëndetëses”, Artur Çobani është i bindur se skuadra do të rikthehet.

Një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Çobani bëri një analizë të thelluar të skuadrës blu, teksa u ndal edhe te Tirana, formula e re e kampionatit apo edhe te Lushnja ku në të shkuarën ka qenë president i klubit.
Z.Çobani, të flasim pak për Dinamon. E nisi sezonin me një fitore ndaj Vllaznisë, por situata nuk shkoi aq mirë. Si e sheh këtë fillim sezoni për “nëndetësen”?
Shiko, është e vërtetë ajo që Dinamo në Kupat e Europës, bëri një përfaqësim, ta heqim atë fjalën dinjitoz, sepse gjithmonë jemi mësuar me këto humbjet dinjitoze, po një përfaqësim shumë, shumë të mirë domethënë në Kupat e Europës dhe kualifikimet ishin të merituara. Edhe në ndeshjen me polakët, pavarësisht se në atë moment Dinamo nuk i kishte ata dy që shiti, Zabërgjën dhe Itodon por përsëri ishte shumë e mirë. Por, përsëri paraqitja e Dinamos ishte shumë e mirë. Dhe kjo premtoi që edhe në kampionat do të kishte domethënë një, bujshmëri, sepse për hir të së vërtetës, presidenti ka shpenzuar, ka bërë blerje edhe nuk janë blerje dosido, por janë blerje, duke pasur parasysh Berishën e madh, Berishën e vogël apo Nezirin apo këtë Teikseirën. Domethënë janë blerje që realisht janë cilësore për Dinamon.
Por të themi të drejtën në fillim të kampionatit me Vllazninë, Dinamo bëri një ndeshje të mirë, një ndeshje sepse Vllaznia së bashku me Elbasanin edhe me Egnatian, janë skuadrat më të mira sot të kampionatit, domethënë më në formë të themi. Dinamo e dominoi atë takim realisht. Dinamo në një javë të vetme, midis ndeshjes së Elbasanit dhe deri te ndeshja me Ballshin, sigurisht që la shumë për të dëshiruar. Nuk dua të flas për ndeshjen me Elbasanin, se në ndeshjen me Elbasanin, Dinamo luajti mirë deri në minutën e 30 sa u ndëshkua me kartonin e kuq. Ishte superiore ndaj skuadrës më në formë të kampionatit edhe mund të kishte shënuar, sepse rastet i kishte. Por ndëshkimi që pësoi me, kartonin e kuq, që për mua domethënë ishte një dëmtim që Dinamos ia ia bëri gjykimi në atë ndeshje. Edhe pas kësaj ndeshje, Dinamo la shumë për të dëshiruar, sidomos ndeshja në Durrës edhe ndeshja me Ballshin, ishin dy ndeshjet që Dinamo duhet t’i harrojë.
Çfarë ka tjetër që nuk shkon?
Nuk besoj se ka ndonjë gjë domethënë të brendshme që të flas unë për Dinamon. Dinamo është në unitet me të gjitha linjat e saj, që nga presidenti dhe deri te sigurisht, trajneri Daja është nga më të suksesshmit që ka kampionati shqiptar. Por janë disa. Është, një ngërç, ky është një ngërç i skuadrës që, sa më shpejt dhe me qetësi duhet patjetër të dalin nga ky ngërç. Se unë përsëri besoj që Dinamo do të jetë në elitë, së bashku me Elbasanin, me Rrogozhinën, me Vllazninë, e sot për sot i shoh skuadrat më në formë që do të konkurrojnë në kampionat
Kjo çështja e kartonit të kuq në ndeshjen me Elbasanin është përmendur goxha edhe nga vetë drejtuesit e Dinamos, por në dy ndeshje të tjera, Dinamo ka luajtur për më shumë se pesëdhjetë minuta, me një lojtar më shumë, por nuk ka arritur të përfitojë…
Është e vërtetë që, në ndeshjen me Elbasanin ajo u ndëshkua dhe ta them sinqerisht është ndëshkuar domethënë pa të drejtë, sepse nuk mund të ishte ai kartoni i kuq, ishte i tepërt dhe për mua prishi një bukuri të lojës, sepse ajo nisi një ndeshje shumë e bukur. Por në dy ndeshjet e tjera është e vërtetë që Dinamo, kaloi në superioritet numerik, sidomos në ndeshjen me Teutën, dhe nuk arriti të përfitojë. Aty ka dhe një gjë tjetër që të, jemi pak realistë. Goli i Teutës për mua ishte, pozicion jashtë loje. Domethënë goli i Teutës, dhe Dinamo e mori pak lehtë e lehtë atë periudhën pas superioritetit numerik meqë ishte me një lojtar më shumë. Teuta e shfrytëzoi si një moment, që ju bën një padrejtësi edhe shtoi forcën në fushë apo edhe e mbështetur edhe pak nga tifozët. Sepse nuk dua ta, ta them troç, që Dinamo po ndëshkohet nga gjykimi.
Por nuk është për t’u justifikuar sepse Dinamo duhet patjetër, me kontingjentin që ka, ta mposhti edhe këtë, këtë gjë që po i ndodh asaj, që gjykimet po e rëndojnë. Se nëse në ndeshjen me Elbasanin ishte një gjyqtar, që për mua qe anonim dhe të arbitrosh një ndeshje aq të rëndësishme, një gjyqtar i tillë, nuk e kuptoj dot, megjithatë në ndeshjen me Teutën ishte Enea Jorgji. Dhe Enea Jorgji, personalisht për mua nuk mund të gabojë, që themi bën gabime gjyqtari. Nëse do të gabojë, gabon me dashje. Kështu qenë disa veprime në ndeshjen me Teutën pas kartonit kuq, që ishte i drejtë ai që u dha për Teutën. Megjithëse unë jam pak konservator për këto gjëra dhe nuk dua që loja të prishet që në minutë të njëzet apo tridhjetë, pavarësisht atyre ndërhyrjeve shumë të rënda që mund të bëhen që të ndëshkohen me karton kuq, sepse prishet bukuria e futbollit.
Megjithatë këto janë rregullat e futbollit që duhet t’i zbatojmë. Po të qëndrojmë tek Dinamo. T’i qëndrojmë këtij, Dinamo ka nevojë të rikthehet te ndeshja e Vllaznisë, domethënë të marrë rezultatin në radhë të parë, sidomos në derbin me Tiranën, që është shumë e rëndësishme. Dinamo duhet kthehet te rezultati. Nëse Dinamo nuk do të arrijë rezultatin, sinqerisht është një kambanë alarmi, sepse nuk riparohen dot rrugës gjërat. Të jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjë. Duhet patjetër të them se, janë tre ndeshje, tre ndeshje që Dinamo ka marrë një pikë. Tre ndeshje ka marrë një pikë dhe nuk ka shënuar asnjë gol.

Meqenëse u përmendën edhe golat, u larguan dy lojtarë që shënonin, Itodo dhe Zabërgja dhe janë afruar të tjerë lojtarë por që nuk po arrijnë të shënojnë. Si e vlerëson merkaton e Dinamos në këtë situatë?
Shiko, është e vërtetë, që ikën dy futbollistë goli, por unë shtoj një pyetje të tillë. Këta futbollistë si Zabërgja dhe Itodo edhe kur erdhën këtu, mos ishin golashënues të shquar në Europë? Për në Europë, jo, por po flasim në Kosovë edhe këtu do të thotë nga erdhën. Absolutisht jo! Itodo madje erdhi nga Luzi, nëse e keni parasysh. Dhe te Dinamo arriti, domethënë që të meritojë ato që mori. U shit dhe mori vlera, shënoi gola. E njëjta gjë edhe me Zabërgjën.
Kështu që edhe Dinamo ka afruar lojtarë, ka Berishën e vogël, që është lojtari goli, Farruku është lojtari goli.
Atëherë çfarë kanë ata?
Kanë nevojë që të shënojnë. E kupton, të aktivizohen edhe të shënojnë. Nëse ata do arrijnë që në ndeshjet në vazhdim të shënojnë, sigurisht ata do të arrijnë, domethënë ke ato gjëra që bënë Itodo dhe Zabërgja. lojtarë aty ka. Bregu është aty, Qefalija është aty. Të tjerë janë aty, sepse golat në fund nuk bëhen vetë sigurisht.
Kështu që prandaj them që Dinamo ndërhyrjet në merkato i ka bërë shumë të mira dhe unë nuk them që pse s’gjeti një Zabërgjë të dytë. Por ndoshta mund të bëhet më vonë. Berisha, Hekuran Berisha mund të bëhet si Zabërgja apo ndoshta edhe ai tjetri, Xhejms. Dinamo ka bërë merkato, por nuk mund të themi se pse shiti Zabërgjën dhe nuk gjeti një Zabërgjë tjetër. Nuk mund të bëhet diçka e tillë sepse tregu kushton shumë. Nëse duhet të gjejë një Zabërgjë, për të ndërruar Zabërgjën, atëherë të mos e shiste fare dhe e kishte gati. E kupton? Duhet kohë. Kështu që unë nuk jam me atë që Dinamo gaboi, nuk gaboi Dinamo, sepse Dinamo presidenti, me aq sa unë di, ka kohë që kërkon futbollistë. Po flasim që nga prilli që nga maji që kur doli formati i Final Four. Njerëzit e presidentit u vunë në lëvizje për të kërkuar futbollistë dhe këta futbollistë që kanë afruar, i ka marrë Daja nga Kosova.

Domethënë janë futbollistë që ai ka përzgjedhur si të preferuarit e vetë. Që do të thotë në bashkëpunim me presidentin, trajneri ka kërkuar, domethënë të afrohen lojtarët që i duhen trajnerit për të ardhmen. Por unë shikoj një gjë, që presidenti i Dinamos nuk e bën dramë këtë situatë, por vazhdon, domethënë të ketë besimin absolut. Se sigurisht Daja është për të pasur besim te ai. Kam besim absolut që Dinamo do të ndërrojë fytyrë. Akoma për mendimin tim nuk e di se si do të shkojnë në të ardhmen. Berisha i madh duhet të justifikojë më shumë atë vlerë me të cilën ka ardhur te Dinamo, sepse pak a shumë ja dinë vlerat, e di se ka luajtur te Skëndërbeu e ka lujtur dikur në kampionatin shqiptar. Dhe deri tani, nuk po justifikon atë. Për sa i përket tyre të tjerëve, do të vijë edhe momenti për tu aktivizuar dhe për të dhënë më të mirën që mund të kenë. Disa gjëra të tjera që shikoj te Dinamo janë edhe dëmtimet që ka pasur. Dinamo ka pasur disa dëmtime dhe kartonët e kanë detyruar trajnerin Daja të bëjë dhe modifikime në vendosje dhe në pozicionet e futbollistëve.

Meqë u përmend edhe formula, ka ndryshuar formati këtë sezon me përgjysmim pikësh. Mendon se mund ta ndihmojë qoftë Dinamon apo edhe ekipet e tjera, ose vetë garën kjo skemë?
(Qesh) Erjon, meqë po më pyet, jam i detyruar të të përgjigjem. “Final 4” duhet të zhduket njëherë e mirë, nga futbolli ynë. Asgjë të mirë nuk i sjell formula e re kampionatit shqiptar, qoftë kur janë me pikët e tyre, qoftë tani me përgjysmim pikësh. Unë nuk e di se çfarë do të tregojë ky përgjysmimi i pikëve për të konkurruar tani me kampionatin, ose do të marr një shembull. Po sikur skuadra e parë që është sot që udhëheq kampionatin, Elbasani po themi që është në vendin e parë, do të shkojë në “final 4” me dhjetë pikë diferencë nga e dyta me gjithë përgjysmimin e pikëve, a do të ketë luftë për titull? Titulli është përcaktuar. Prandaj, futbollin tonë nuk e ndihmon fare “Final 4”. Futbollin tonë e ndihmon shikimi i skuadrave dhe bërja e fushave që skuadrat të luajnë në fusha e tyre. Shikoni ça ndryshimi që ka. Kthehet Dinamo në Tiranë, i kthehen edhe njerëzit për ta parë. Kjo ndodh me të gjitha, edhe me Partizanin nëse do të ketë stadiumin këtu në Tiranë, jo atje larg ku e ka, apo ku di unë, Besën që do luajë po them kot, që do luaj në Luz apo me Tiranën që u degdis vjet në të gjithë, vendin duke bredhur.
Kështu që për mua Federata e Futbollit të shikojë të bëj fusha futbolli sa më shumë, që të luajnë skuadrat në fushat e tyre dhe të mos ndryshojë formula e kampionatit, po të shtojë rrethin e skuadrave të futbollit. Hyri Vlora, po shtohet interesi për të ardhur në stadium. Hyri Elbasani, ju e shikoni shumë mirë se çfarë ndodh me stadiumin e Elbasanit. Atëherë pse, çfarë po mundoheni t’i jepni futbollit me këtë “Final 4”? Çfarë është ky “Final 4”? Më gjej një model, një model të vetën në Europë me këtë formulë. E bëri dytre vjet këtë formulë pa përgjysmuar pikët. Asnjë gjë të re nuk solli ndeshje për vend 3-4 ishte formale. Asnjë shtesë nuk solli, domethënë në shkallët e Superiores. Po, ka aq tifozë sa vinin, aq vijnë prapë. Tani do bëjë përgjysmim pikësh, por pse? Pse është kjo mungesë e madhe? Pse duhet të jenë vetëm dhjetë ekipe në kategorinë superiore? Prandaj po them, për mua kjo formulë, nuk ka përcaktuar asnjë gjë të re nga ato vitet e tashme. Do jetë e njëjta situatë siç ishte.
E përmendët pak këtë pjesën se kush janë ekipet, ndoshta pretendente për titullin kampion?
A sheh që Dinamo të ketë ndonjë avantazh karshi të tjerave në këtë garë? Jo i shoh si të barabarta, qoftë Dinamon, qoftë Vllazninë, Egnatian. Në fillim flas, në këtë fillim, sepse ndoshta edhe mund të ndryshojnë gjërat, por në këtë fillim i shoh si të barabarta. Dinamo bëri paraqitje të mirë me Vllazninë, por ngeci pastaj, prandaj është shpejtë. Ndoshta më vonë, mund të them se kush është por për momentin janë të barabarta.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













