EKSKLUZIVE/ Flamurtari si “bankomat”, dy futbollistë të larguar do të vazhdojnë të marrin 21 mijë euro në muaj
Flamurtari i milionave, dështim në fushë dhe “kampion” në pagesa! Jose Rodriguez dhe Heiderber Ramirez janë larguar nga Flamurtari, por jo me duart bosh. Përkundrazi, dy futbollistët ikën si “milionerë”, duke lënë pas një skuadër në fund të tabelës dhe shumë larg pritshmërive të mëdha që shoqëruan ardhjen e tyre.

Projekti ambicioz i Flamurtarit, i ndërtuar mbi investime marramendëse dhe emra të bujshëm, rezultoi një dështim i plotë në aspektin sportiv, por klubi vlonjat vazhdon të mbajë “kurorën” si një nga klubet më korrektë në pagesa. “Panorama Sport” zbulon detaje deri tronditëse mbi kontratat e dy ish-lojtarëve. Jose Rodriguez kishte firmosur një kontratë që arrinte vlerën e 12 mijë eurove në muaj, një shifër që rrallëherë është parë në futbollin shqiptar. Nuk mbetej shumë pas as Heiderber Ramirez, i cili përfitonte nga një kontratë që varionte nga 8 deri në 9 mijë euro në muaj.
Pagesa luksoze që nuk u reflektuan aspak në performancën e skuadrës në fushë. Ajo që e bën edhe më paradoksale situatën është fakti se, pavarësisht largimit, të dy futbollistët vijojnë të paguhen. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Flamurtari po vazhdon të funksionojë si një “bankomat” për dy ish-lojtarët, vetëm e vetëm për të respektuar kontratat dhe për të shmangur konfliktet ligjore. Gjasat janë reale që Rodriguez dhe Ramirez të përfitojnë pagesat e tyre të plota, edhe pse nuk do të veshin më fanellën kuqezi. Drejtuesit e klubit, në emër të korrektësisë, po vazhdojnë t’u “ngrohin xhepat” dy futbollistëve që nuk justifikuan investimin.
BUXHETI – 5 milionë euro për një sezon zhgënjyes. Si rrallë ndonjëherë në historinë e tij, Flamurtari këtë sezon kishte në dispozicion një buxhet marramendës prej 5 milionë eurosh, i miratuar që në fillim të sezonit. Një pjesë e kësaj shume u destinua për investimin madhor në stadium, por pjesa më e madhe shkoi për ndërtimin e skuadrës: kontrata lojtarësh, paga, bonuse, trajtim ushqimor, akomodime në transferta jashtë Vlorës, si dhe qiratë e banesave për futbollistët. Vetëm për pagat e lojtarëve, klubi kishte planifikuar një buxhet prej rreth 2.5 milionë eurosh, shifër që e vendos Flamurtarin shumë mbi mesataren e kampionatit. Drejtuesit kishin menduar edhe një qasje ndryshe për shpërblimet, me bonuse të shpërndara gjatë gjithë sezonit për të motivuar ekipin në ndeshjet vendimtare, aty ku kërkohej vetëm fitorja. Por deri më tani, kjo strategji mbetet thjesht një “ëndërr” e parealizuar. Në fund të sezonit të kaluar, pas arritjes së objektivit madhor, ngjitjes në Superiore, klubi u shpërndau lojtarëve një bonus prej 100 milionë lekësh të vjetra, duke treguar qartë se financat nuk ishin problem. Megjithatë, këtë sezon, paratë nuk arritën të blinin suksesin sportiv.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













