EKSKLUZIVE/ “Dinamo për titull”, Allmuça analizon blutë dhe Superiore: Daja strateg, ndaj Egnatias pres një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 20:41

EKSKLUZIVE/ “Dinamo për titull”, Allmuça analizon blutë dhe Superiore: Daja strateg, ndaj Egnatias pres një…

Dinamo shihet si një nga skuadrat fa vorite këtë sezon2234 për të fituar titullin kampion dhe diçka të tillë e pranon edhe ish-trajneri Igli Allmuça. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Allmuca u shpreh se Dinamo ka një skuadër kualitative, teksa analizoi edhe Superioren.

igli allmuca

Si po u duken javët e parat kampionatit?

Po normalisht rivalitet ka, shumë ndeshje kanë qenë në nivel shumë të kënaqshëm. Është një rivalitet që do të vazhdojë, do të vazhdojë deri në javën e fundit. Shoh shumë skuadra që kanë nivel dhe po bëjnë performancë të mirë.

A ju ka bindur ndonjëra më konkretisht?

Po, ka disa skuadra. Mendoj që Vllaznia, Egnatia, Dinamo, Elbasani edhe Teuta. Mendoj që është një pesëshe. Janë këto pesë skuadra, domethënë që do rivalizojnë fundi deri në fund me njëratjetrën.

Po Dinamon si e ke pa këtë sezon?

Për Dinamon është normale të ketë oscilacione në fillim. Besoj që edhe fusha e ‘Selman Stërmasit’, ashtu si edhe ngarkesa e madhe fizike e lojtarëve gjatë periudhës së verës, përfshirë edhe dëmtimet që kanë pasur, kanë ndikuar. Megjithatë, edhe me gjithë këto vështirësi, skuadra është në garë për titullin. Imagjino sikur Dinamo të ishte në formën dhe performancën më të mirë, me grupin e plotë dhe në gjendje optimale fizike – do të ishte një skuadër edhe më konkurruese.

A mendon se e ka kualitetin për të fituar titullin kampion?

Po, unë besoj që e vendosim që është një nga pretendentët kryesorë. Nuk besoj se ka ndonjë që ka dyshime për këtë gjë.

Po kjo pjesë e oshilacioneve që shfaqen në tre javë direkt pas javës së parë, mendon se ishte vetëm një moment i keq apo pe diçka më tepër?

Po, janë të pranishme shumë gjëra në ndeshjet në Kupat e Europës. Janë të pranishme edhe këto faktorë: dy lojtarë të rëndësishëm të fazës ofensive që janë larguar, dëmtimet e dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të sulmit, si dhe numri i madh i ndeshjeve. Këto ndeshje në Kupat e Europës sjellin ngarkesa të mëdha fizike. Për shembull, ndeshja me Hajduk Splitin nuk është njësoj si një ndeshje në kampionatin shqiptar – pa dashur të nënvlerësoj asnjë skuadër. Ritmi është shumë më i lartë dhe ngarkesa fizike është shumë më e madhe.

Dinamo shiti dy sulmues, por bëri merkato. A mendon se kanë plotësuar sulmin të rinjtë e afruar në verë?

Tani nuk besoj se janë në nivelin e tyre, por besoj që me punë, me ndihmën e lojtarëve të tjerë dhe me atë inteligjencën e Dajës, i cili tashmë ka krijuar autoritetin e vet dhe njihet si një nga më të mirët në kampionatin shqiptar, besoj se do të arrijnë në ato nivele. Ndoshta jo pikërisht në nivelin e tyre, por do të bëjnë performancë. Do të vijë momenti kur do të shënojnë gola të rëndësishëm dhe do t’i japin pikë skuadrës, ashtu siç bën edhe Bregu, i cili në çdo ndeshje tregon cilësi dhe një performancë shumë të mirë.

Si e ke parë pjesën tjetër të skuadrave, meqë 5 pretendentët i përmendët?

Në vështirësi të madhe e kam parë skuadrën e Partizanit, me thënë të drejtën. Nuk është mirë që ndodhen në këtë pozitë. Ndërkohë, Tirana, me ndeshjen e derbit, por edhe me derbin tjetër kundër Dinamos, veçanërisht në pjesën e dytë, ka bërë një paraqitje shumë të mirë, që tregon se skuadra ka potencial, pavarësisht rezultateve në fillim të kampionatit.

Nëse do të ketë vazhdimësi, si në këto dy ndeshje, me Dinamon dhe Partizanin, unë besoj se Tirana do të largohet nga ajo zona e ftohtë. Vora është një skuadër me shumë dëshirë dhe energji të madhe. Po bën ndeshje shumë të mira dhe maksimalisht do të jetë një nga skuadrat që do të bëjë paraqitje dinjitoze.

Pastaj, rezultatet janë pak abstrakte, asnjëherë nuk dihet si shkon. Mund të bësh një ndeshje të mirë dhe të mos marrësh pikë në fund. Këto skuadra më të vogla gjithmonë varen nga ndeshjet: një ndeshje negative mund të ndikojë te vazhdimësia, ndërsa një ndeshje pozitive mund të rrisë moralin dhe të çojë drejt disa rezultateve të mira radhazi.

Si e sheh rregullin për të lejuar shumë të huaj në fushë? A mendon se e pengon futbollin shqiptar?

Shiko, është pak e vështirë, sepse nga të dyja anët ka problem. Nga njëra anë nuk është mirë që nuk ke shumë lojtarë të rinj në skuadër, por as nuk është mirë që të mbështetesh vetëm te ta. Ndoshta edhe brezi i sotëm nuk ka aq shumë lojtarë cilësorë për të mbushur boshllëqet që kanë skuadrat. Ose, ndoshta, nuk kanë përkushtimin dhe seriozitetin e duhur. Ka disa mesatarë të mirë, por gjithmonë “kokrrat” do të dalin – ato lojtarë që bien në sy që nga moshat. Nuk besoj që ka aq shumë sa i duhen realisht skuadrave shqiptare.

Sepse, për të kaluar një tur në Europë dhe për të pasur pretendime të vërteta, duhet të kesh lojtarë cilësorë, me eksperiencë, dhe kjo kërkon edhe investim. Skuadrat që kanë objektiva europianë, normalisht duhet të shpenzojnë për lojtarë me nivel. Është si të thuash, të dy anët e medaljes: nga njëra anë nuk ka shumë të rinj cilësorë që dalin, por nga ana tjetër edhe presioni i rezultateve nuk të lejon të rrezikosh shumë me ta. Kjo, sipas meje, është një nga arsyet pse nuk po shohim aq shumë të rinj të shpërthejnë në sipërfaqe.

Po për këta të huaj që kanë ardhur, a shihni ndonjë që mund të bëjë diferencën, qoftë te Dinamo, apo edhe te ekipet e tjera?

Këtë është më e drejtë ta thonë stafet teknike të klubeve, sepse ata i shohin çdo ditë në stërvitje, i ndjekin nga afër dhe i njohin më mirë. Ne nga jashtë nuk mund ta vlerësojmë plotësisht. Por ndjesia ime është që shumë ekipe kanë marrë lojtarë nga të rinjtë, nga moshat. Disa prej tyre e bëjnë diferencën dhe dallohet që kanë potencial, por është stafi ai që e vlerëson nëse janë gati për të luajtur në nivele të larta. Partizani po punon mirë në drejtim të aktivizimit të lojtarëve të moshave.

Po merr disa elementë nga akademia dhe është një rrugë e duhur. Sigurisht, kur kërkon të nxjerrësh futbollistë nga të rinjtë, duhet të pranosh edhe disa kosto në rezultate – kjo është e padiskutueshme. Të rinjtë nuk e kanë ende eksperiencën e duhur. Ata mund të jenë shumë të mirë dhe përfaqësojnë të ardhmen e klubit, por në momentet e vështira, për të përballuar presionin, duhet të kesh edhe lojtarë me përvojë.

Këtë javë, Dinamo përballet me Egnatian. Si e sheh?

përveç një Dinamo-Egnatia, i shoh si skuadër që të kënaqin sepse duket që ka dorë strategësh dhe që luajnë me ide. Dy skuada që duken me sy se si luajnë dhe duket dora e trajnerit nga kushdo. Është kënaqësi t’i shohësh si e interpretojnë lojën. Janë të tria rezultatet pavarësisht dëshirës. Dëshira ime është që të fitojë Dinamo, për dy arsye. Se kam qenë trajner i Dinamos dhe sigurisht për respekt të profesorit. E sigurt është që do të bëhet ndeshje shumë e bukur, nga ato ndeshje vitrinë për kampionatin.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL