EKSKLUZIVE/ “Dinamo do fitore ndaj Egnatias”, Bregu tregon “sekretin” pas fitores në derbi: Më ndihmon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2025 | 22:08

EKSKLUZIVE/ “Dinamo do fitore ndaj Egnatias”, Bregu tregon “sekretin” pas fitores në derbi: Më ndihmon…

Dejvi Bregu duket se ka një lidhje të veçantë me stadiumin “Elbasan Arena”, ku sërish shënon dhe Dinamo fiton. Nga tetë rrjetat e realizuara deri tani në kampionat, shtatë kanë ardhur pikërisht në këtë stadium nga sulmuesi vlonjat, i cili e tregon “sekretin” e tyre në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” pas fitores në derbin me Tiranën.

bregu

Vlonjati u gëzohet tri pikëve dhe tani pret që Dinamo të rimarrë kreun, teksa më mesjavë do të sfidojë Egnatian në duelin direkt. Bregu heq dorë nga goli në këtë sfidë, mjafton që blutë të fitojnë. Ai e sheh një ndeshje të ekuilibruar dhe të hapur nga të dyja kampet.

Bregu, fitore bindëse kjo e sotmja (e djeshmja) ndaj Tiranës në derbi. Sa të kënaqur jeni?
Kuptohet që jemi shumë të kënaqur, sepse derbi është diçka ndryshe nga ndeshjet e tjera. Pas fitores me Laçin dhe kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës, vazhdojmë me rezultatet pozitive, edhe me lojë të mirë.

Shënoni sërish, duket se po e kapni formën e humbur pas dëmtimit…
Dëmtimi më mbajti afro dy muaj larg fushave për shkak të operacionit. Nga stërvitja në stërvitje dhe nga ndeshja në ndeshje, forma është e mirë dhe shpresoj ta ruaj këtë ritëm për ta vënë në shërbim të ekipit.

Cili është “sekreti” i golave në Elbasan, shtatë nga tetë që keni shënuar deri më tani?
Fusha e Elbasanit është ndër më të mirat, për të mos thënë më e mira në Shqipëri Jemi shumë komodë duke luajtur këtu, sepse është bërë si shtëpia jonë. Shpresoj që të kem fatin edhe ndeshjen e ardhshme.

Pas tri ditësh keni ndeshje direkte me Egnatian. Ka ardhur koha të merrni kreun?
Luajmë me kampionët në fuqi, një ekip që e respektojmë, sepse luan futboll shumë mirë. Do të shkojmë atje për të marrë maksimumin. Duke ditur që edhe kundërshtari do të kërkojë tri pikët, besoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe shpresoj të bëhet një lojë sa më e bukur për tifozët.

Kur shënoni ju, fiton Dinamo, përveç barazimit me Egnatian fazën e dytë. Shpresoni që këtë herë të shënonin dhe të merrni tri pikët në Rrogozhinë?
Po shpresoj që tani të jetë e kundërta dhe të fitojmë. Edhe nëse nuk shënoj, do të mundohem të asistoj për lojtarët e tjerë të sulmit dhe të fitojmë, kjo ka rëndësi. Dihet që për ne janë të rëndësishme tri pikët dhe vazhdimësia.

PANORAMASPORT.AL