EKSKLUZIVE/ Bledi Shkëmbi: Arbitri shkatërroi planet e Tiranës në derbi, Marku u ndëshkua me të kuq pa bërë asgjë (E PLOTË)
Bledi Shkëmbi ka peng dy rastet e Prengës dhe Ernest, që mund të kishin “vrarë” derbin dhe t’i dhuronin fitoren tifozëve bardheblu pas nëntë ndeshjesh shterpësi.

Korçari që drejton bardheblutë, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, pas derbit, foli edhe për vendimet e gjyqtarit në fund të lojës, duke deklaruar se Hamiti e humbi “busullën” dhe nuk dinte kujt t’i jepte karton. Shkëmbi analizoi edhe sfidën me Partizanin si dhe dha opinionin e tij për ndeshjen që u luajt te “Arena e Demave”.
Shkëmbi, një derbi që u mbyll në barazim në frymën e fundit, por sërish Tirana nuk ia doli që të merrte tri pikët…
Në këtë situatë, ndiej keqardhje si përfundoi takimi. Ne bëmë një ndeshje të mirë, luajtëm një sfidë të mirë, ishte për ne një derbi pozitiv. Nuk diskutohet, që i kishim mundësitë dhe duhet të shënonim golin e dytë për të administruar pastaj më mirë minutat e fundit të lojës. Ne nuk arritëm ta bëjmë këtë detyrë dhe më pas ishte kundërshtari që na barazoi lojën. Merita ishte e Partizanit dhe e lojtarit të tij për mënyrën sesi shënoi gol.
Tirana dhe Partizani këtë sezon e kanë mbyllur çdo ndeshje në barazim. Ke pengje për dy derbet që ke drejtuar skuadrën bardheblu?
Ne kemi bërë dy derbe të mira. Të paktën në ata që kam drejtuar unë. Pengu im është kthimi në gol i dy rasteve të pjesës së dytë. Dy raste shumë të mira që në derbi nuk është se të vijnë shpesh, pasi në këto takime nuk mund të kesh mundësi të pastra. Gjithsesi, ne nuk i shënuam dot gol.
Me gjithçka që ndodhi në fushë dhe jashtë fushës së lojës, mendoni se derbi mund të luhet në këtë stadium?
Unë kam mendimin se derbi do të meritonte që të luhej në një stadium tjetër apo fushë më të mirë, sepse stadiumi nuk ka ndonjë ndryshim. Gjithsesi, nuk mund të them asgjë tjetër për këtë pjesë. E kam thënë edhe më përpara, ky është stadiumi i klubit të Partizanit. Në këtë stadium kanë investuar dhe është mëse normale që ata duan ta luajnë ndeshjen ku të ndihen më mirë
Në fund, tetë kartonë të kuq dhe skuadrat e mbyllën me dy lojtarë më pak në fushën e lojës. Çfarë mendon për këtë situatë?
Ajo që ndodhi me futbollistët nuk ishte normale dhe kjo nuk më pëlqen. Pastaj, pashë gjyqtarin që u çakërdis pak, nuk po dinte ku të shkonte, kujt t’ia jepte dhe kujt nuk do t’ia jepte ndëshkimin. Marku ishte shembulli, i cili nuk bëri asgjë dhe mori karton të kuq.
OLSI AVDIAJ- PANORAMASPORT.AL













