EKSKLUZIVE/ Ar Europe 36 vjeç, Briken Calja: Kufijtë… vetëm në mendje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 9:24

EKSKLUZIVE/ Ar Europe 36 vjeç, Briken Calja: Kufijtë… vetëm në mendje

Ndonëse bëhet fjalë për një sport të rëndë, ku pesha e viteve ndihet edhe më shumë, Briken Calja vijon të shkruaj historinë e peshëngritjes shqiptare. Suksesi më i fundit për shtangistin shtërmenas erdhi vetëm disa më parë në Europianin e Gjeorgjisë, event të cilin e mbylli me dy medalje, një të artë në shtytje dhe një të argjendtë në dygarërësh. Në një prononcim për “Panorama Sport” Calja rikthehet të flasë për garën e Batumit dhe më gjerë.

Screenshot 2026-04-30 092401

36 VJEÇ, NË MAJË

Brikeni tregon fillimisht si është fitimi i medaljes së arit europiene në moshë 36- vjeçare: “Është një arritje që ka shumë më tepër vlerë se një medalje. Në këtë moshë çdo sukses vjen si rezultat i një rruge të gjatë, me shumë sakrifica, disiplinë dhe përvojë të akumuluar ndër vite. Për mua është një dëshmi që puna e vazhdueshme dhe besimi në vetvete nuk kanë moshë. Të fitosh në 36 vjeç është një mesazh i fortë për çdo sportist që kufijtë janë vetëm në mendje. Njëkohësisht, kjo medalje përfaqëson edhe mbajtjen e një premtimi që kam dhënë para Kampionatit Europian, që do të sillja rezultate të larta. Për mua fjala e dhënë ka shumë peshë dhe kjo arritje më jep edhe më shumë përgjegjësi për vazhdimësinë”.

GJITHNJË PËR MË SHUMË

Megjithatë, edhe pse rezultatet janë top, mentaliteti i një kampioni kërkon gjithnjë për më shumë, me Caljen që thotë se i kishte mundësitë për të bërë edhe më mirë: “Asnjëherë nuk jam 100% i kënaqur, sepse gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja. Kjo është ajo që më ka mbajtur në nivele të larta për kaq shumë vite. Duke parë formën që kam kaluar gjatë kësaj periudhe, besoj se kisha potencial për të bërë edhe më shumë, ndoshta për të tentuar rezultate edhe më të larta. Por sporti është moment dhe çdo garë ka dinamikën e vet. Ajo që ka më shumë rëndësi është që në atë ditë dhashë maksimumin tim dhe arrita objektivin kryesor. Kjo më motivon edhe më shumë për të vazhduar përpara dhe për të synuar rezultate edhe më të mëdha në garat e ardhshme”.

NDALESAT E RADHËS

Shtangisti i Tiranës zbulon gjithashtu edhe objektivat e radhës: “Objektivat e radhës janë Lojërat Mesdhetare, Kampionati Botëror dhe Kampionati Ballkanik. Pa diskutim, objektivat janë të qarta: medalje sërish. Do të vazhdoj me të njëjtin fokus, disiplinë dhe vendosmëri për të përfaqësuar Shqipërinë në nivelin më të lartë”.

SHPËRBLIMET

Në fund, Calja flet edhe për vendimin e qeverisë për rritjen e shpërblimeve, të cilin e njoftoi disa ditë më parë ministri Blendi Gonxhja: “E shikoj si një hap shumë pozitiv dhe të domosdoshëm për zhvillimin e sportit. Kur shteti vlerëson sakrificën dhe suksesin e sportistëve, kjo sjell motivim jo vetëm për ne që jemi në nivele të larta, por edhe për të rinjtë që duan të ndjekin këtë rrugë. Është një sinjal i qartë që sporti ka rëndësi dhe meriton mbështetje reale. Njëkohësisht, dua të shpreh falënderimin tim për Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrinë e Sportit Blendi Gonxhja për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë sportistëve shqiptarë. Gjithashtu falenderoj edhe zv.ministrin Endrit Hoxha për korrektësinë dhe ndihmën ndaj sportit. Shpresoj që ky vendim të zbatohet plotësisht dhe të jetë i qëndrueshëm në kohë, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë suksese të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL