EKSKLUZIVE/ Analiza e trajnerit, Agim Canaj: Ka pasur aleanca, Final Four është dështim! Të shtohet numri i ekipeve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2026 | 22:17

EKSKLUZIVE/ Analiza e trajnerit, Agim Canaj: Ka pasur aleanca, Final Four është dështim! Të shtohet numri i ekipeve (E PLOTË)

Kampionati shqiptar ka hyrë në fazën e fundit, ku në ndeshjet e para të “Final 4”, ka pasur rezultate surprizë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Agim Canaj ka analizuar Superioren, duke qenë i bindur se Superiorja ka tolerime dhe aleanca, teksa shton se duhet shtuar numri i skuadrave dhe ndryshimi i formulës.

agim canaj

Profesor, u luajtën dy ndeshjet e para të Final 4-it. Si t’u dukën paraqitjet dhe rezultatet?

I prisje të tilla? Pa diskutim, i prisja, sepse dihet që këto katër skuadra edhe në kampionat kanë qenë të ndryshme nga njëra-tjetra. Pavarësisht pozicionit në tabelën e klasifikimit, ato herë pas here kanë dhënë ndeshje shumë të bukura. Janë skuadra shumë mirë të investuara dhe, pa diskutim, po të shohësh edhe takimet ndërmjet tyre, janë shumë të ekuilibruara.

Kështu që do të thosha se e kisha menduar që për Vllazninë Dinamo do të ishte një kockë e fortë, ashtu si edhe për Elbasanin Egnatia është një skuadër shumë e pjekur, me dy kampionate njëra pas tjetrës. Është shumë e përgatitur në ndeshje, sidomos në Final Four, ku janë shumë faktorë si në aspektin tekniko-taktik, por janë shumë të rëndësishëm edhe në aspektin psikologjik, pra te menaxhimi i presionit të lojtarëve dhe stafit drejtues. Kështu që, për mua, do të thosha se janë ndeshje që nuk mund t’i parashikosh dhe mund të kenë çdo lloj rezultati. Pra, të tre rezultatet mund të jenë në lojë edhe në takimet pasardhëse.

Sa i përket Dinamos, ka krijuar atë diferencën me vendet e para. A mendon se realisht mund ta ketë atë shansin për titull kampion apo është vetëm një iluzion?

Të them të drejtën, tashmë ka hyrë në një fazë ku janë tre skuadra me tre pikë prapa Dinamos dhe është shumë e vështirë që t’i 4 ndeshje kalosh të tria, sepse nuk varet gjithçka nga ti. Varet nga rezultatet e skuadrave të tjera. Pra, Elbasani që do të ndeshet me Vllazninë, Egnatia që do të ndeshet me Vllazninë. Pra, nuk janë vetëm ndeshjet e tua. Duhet një fat i madh që t’ia dalësh, por çdo gjë mund të ndodhë, sepse kur matematika hyn në lojë, çdo gjë është e arritshme.

Sa mund t’i ngelin peng Dinamos e Egnatias pikët e lëna në fund me skuadrat që ranë nga Kategoria?

Po pa diskutim, ajo që do të thosha për Dinamon sidomos, ka një skuadër jashtëzakonisht të investuar dhe ka lënë shumë pikë me ekipet e vogla. Mos harrojmë katër barazimet me Ballshin, humbjen me Flamurtarin, humbjen e fundit me Partizanin, domethënë faza e tretë ka qenë totalisht jashtë kontrollit. Do të thosha që këto nuk mund t’i lejohen një skuadre që ka një investim shumë të madh dhe po ta shohim, të vjen keq.

Edhe në ndeshjen me Vllazninë tregoi që, pavarësisht se mungonin disa lojtarë cilësorë, prapë e dominoi lojën dhe menaxhimin e saj. Pra, këto janë gabime që të vjen keq, sepse kjo Dinamo e këtij viti duhej të ishte kampione. Pa diskutim, këtu futet edhe Egnatia, por Egnatia ka pasur edhe problematikat e veta, nuk është ajo Egnatia e kampionatit të vjetshëm që kishte disa elementë cilësorë që u larguan dhe u zëvendësuan.

Megjithatë, po ta shohim në ndeshjen me Elbasanin, është një skuadër që di të menaxhojë forcat e veta dhe këtë e tregoi më së miri. Është një nga favoritët kryesorë për titull deri në ndeshjen që zhvilloi me Egnatian. Do të thosha që Egnatia diti të menaxhojë në mënyrë të shkëlqyer resurset që ka, duke shfrytëzuar maksimalisht cilësitë e Bakajokos, i cili shënoi dy gola shumë të rëndësishëm. Rezultati 4-0 duket i madh, por në fund të fundit ky është futbolli. Je i aftë të menaxhosh skuadrën, të shënosh dhe të mos pësosh. Në Final Four kjo është gjëja kryesore: të marrësh pikët maksimale për të arritur objektivin, kampionatin.

Për pak javë vjen edhe Europa. A mendon se ka ndonjë ekip me cilësi që mund të arrijë grupet e Europës?

Të them të drejtën është shumë e vështirë për futbollin shqiptar, sepse dihet që lojtarët kryesorë klubet tona nuk i mbajnë dot dhe automatikisht ata shihen si e ardhme jashtë kampionatit. Kampionati ynë këtë nivel ka. Çdo vit ikin lojtarët më të mirë, si për arsye financiare, ashtu edhe sepse klubet nuk i mbajnë dot. Ky është futbolli sot. Çdo lojtar cilësor kërkon një kampionat më të mirë teknikisht dhe financiarisht. Edhe klubet janë të detyruara të veprojnë kështu, sepse aspekti financiar është shumë i rëndësishëm për klubet shqiptare.

Ky ishte sezoni i parë që në Superiore ishte rregulli për të huajt pa limit. Tani që ka përfunduar sezoni, si mendon, ishte vendim i suksesshëm apo dështim?

Ky është një aspekt që duhet trajtuar në thellësi. Rregulli i lejimit të shumë futbollistëve të huaj i plotëson dëshirat e skuadrave që nuk kanë shumë cilësi dhe marrin lojtarë nga jashtë. Ekipet me financa më të forta marrin lojtarë cilësorë, ndërsa shumë ekipe të tjera marrin lojtarë mesatarë ose nën mesatar për të plotësuar nevojat. Kemi parë shumë lojtarë të huaj me nivel mediokër në gjysmën e skuadrave, disa janë larguar edhe në janar. Kjo ka dëmtuar shumë elementin vendas dhe sidomos lojtarët e rinj që janë në kalim nga moshat te ekipet e para.

Ky është një problem serioz në Shqipëri, sepse nuk i hapet rrugë talentit vendas. Akademitë janë në vështirësi, sepse vetëm lojtarët cilësorë kalojnë, ndërsa pjesa tjetër ngelet jashtë për shkak të mbushjes me lojtarë të huaj. Në afatgjatë kjo do ta përkeqësojë situatën. Në vitin e parë ndoshta nuk u ndje plotësisht, por në vitet në vazhdim do të bëhet më problematike. Shumë akademi janë në konfuzion, sepse më parë kishte më shumë hapësirë për lojtarët vendas, ndërsa tani gjithçka varet nga cilësia dhe financat. Klubet marrin lojtarë të gatshëm për të zgjidhur situata momentale, jo për të ndërtuar të ardhmen.

Po diskutohet gjithmonë e më shumë shtimi i numrit të skuadrave në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. A mendon se është momenti dhe si mund të ndikojë në garë, për mirë apo për keq?

Ka ardhur momenti pse në “Final Four” me zerim pikësh ishte një dështim për mendimin tim, sepse në pesë-gjashtë ndeshjet e fundit ka shumë lëvizje. tolerime dhe aleanca që dëmtojnë garën dhe favorizojnë ekipe të caktuara. Futbolli nuk duhet të jetë kështu. Futbolli duhet të jetë emocion, duhet të ndjesh humbjen dhe fitoren. Me këtë sistem, çdo gjë barazohet dhe humbet emocioni. Edhe përgjysmimi i pikëve solli një garë më të mirë, por në fund problemi mbetet, kishte sërish tolerime dhe aleanca që ndikuan në garë dhe sollën sërish zhgënjim në 5-6 javët e fundit. Ka shumë skuadra që nuk dallohen më mes atyre të Final Four dhe atyre të rënies nga kategoria. Në fund diferenca që bën futbolli është kur luhet ndershëm dhe kur jo.

Në shumë vende përdoren sisteme me dy ose tre faza dhe shtim skuadrash, dhe kjo funksionon më mirë. Mendoj se duhet të shkohet në 14 skuadra me tre faza dhe play-out, për ta bërë garën më të fortë. E kemi pasur dikur diçka të tillë dhe mendoj se ka ardhur koha të bëhet, të ndahet më pas në dy grupe dhe kështu do të ketë garë sepse skuadrat do të luftojnë për të kapur pjesën lart të titullit, ose për të luftuar për të mos rënë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL