EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-mbrojtësit, Përparim Daiu: Partizani është vonë, me këtë ekip “demat” do lënë pikë rrugës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2025 | 22:04

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-mbrojtësit, Përparim Daiu: Partizani është vonë, me këtë ekip “demat” do lënë pikë rrugës (E PLOTË)

Partizani mori një barazim të vyer në çastet e fundit kundër Dinamos, duke ndalur një kundërshtar direkt. Tashmë e presin dy beteja të forta në transfertë kundër Laçit. Përbri këtyre, merkatoja është në ditët e fundit dhe skuadra ka ende mangësi në organikë.

PERPARIM DAIU

Për të gjitha zhvillimet e fundit, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur ish-mbrojtësi i “demave” dhe kombëtares, Përparim Daiu. Kavajasi e sheh Partizanin më të dobët dhe pret që në këto ditë të mbetura të vijë të paktën një mesfushor i fortë.

Përparim, si ju duk derbi mes Partizanit dhe Dinamos, i mbyllur 1-1?

Rezultati mendoj se i përgjigjet asaj që skuadrat dhanë në fushën e lojës, pavarësisht pretendimeve të Partizanit për një penallti të mohuar. Këto janë pjesë e lojës, por nuk duhet të merremi me vendimet e gjyqtarëve, sepse mund të kemi të drejtën, por edhe jo. E përgjithshmja është që si Dinamo, edhe Partizani aq meritonin, barazim. Nuk ishte dominuese asnjë skuadër karshi tjetrës. Ishte derbi që na kishte munguar kaq i bukur dhe ja vlente të shihej. I kishte të gjitha brenda.

Në letër Dinamo është skuadër me më shumë cilësi, a u duk kjo në fushën e blertë?

Kur bëhet fjalë për derbin, edhe diferencat që mund të jenë, zërohen, sepse hyjnë në lojë shumë faktorë si fanella, shpirti i garës, tradita dhe shumë faktorë, tifozeria gjithashtu. Natyrisht që Dinamo mund të quhet një skuadër me më shumë elemente cilësore pas katër largimeve të rëndësishme të Partizanit.

Për të qenë i sinqertë, tani Dinamo është shumë më e kompletuar se Partizani, por këto dy ditë do të shohim. Di të them se është vonë shumë që Partizani të hyjë në merkato, por të paktën një mesfushor duhet të vijë me patjetër. Në mbrojtje largimin e nigerianit (Sodiq) është Janjeva që e mbulon. Në krahun tjetër Bytyçi luan si i majtë, por nuk është me këmbën e tij të preferuar. Këto gjëra mund të rregullohen, por të paktën në mesfushë dhe në sulm klubi duhet të bëjë dy goditje.

Si ju duken afrimet e deritanishme?

Ka luajtur vetëm Podstrelov aq sa për ta njohur disi, por edhe një apo dy ndeshje janë shumë pak për të gjykuar. Duhet më shumë kohë, që të paktën si sulmues që është, skeptikët t’i mposhtë me gola, asiste dhe komponentë të tjerë teknikë.

Sa ju bind ky Partizan për “Final 4”?

Partizani është i avantazhuar për pikët që ka arritur të grumbullojë deri më tani, por me këtë ekip, kam përshtypjen se do të lërë pikë rrugës. Janë edhe dy faza të tjera, kampionati do të bëhet akoma më i fortë. Po të shohësh tabelën poshtë janë 4-5 skuadra që luftojnë ashpër për mbijetesë dhe pavarësisht diferencës me vendin e pestë, sërish në harkun e tri javëve gjithçka mund të ndryshojë. Nuk ka shumë hapësirë për gabime në këtë moment që ka mbërritur kampionati. Besoj se në “Final 4” Partizani do të përfshihet, por kjo fazë ka edhe detajin që vetëm tri ekipe hyjnë në Europë. E katërta është fituesja e Kupës. Shpresoj që fituesja e këtij trofeu të jetë mes kësaj katërsheje dhe gjërat të bëhen më të lehta. Por nuk e pres aspak të thjeshtë për Partizanin.

Së fundmi u largua nigeriani Sodik. Ju duket disi i vonuar Partizani në merkato?

Duheshin zëvendësuar më parë të larguarit? Ky largimi i nigerianit vjen si një rrufe në qiell të hapur. Lexoj për një shpjegim se nuk ka kaluar testet mjekësore në një kohë kur këto procedura bëhen kur lojtari afrohet në fillim. Nuk e di ku është ngërçi dhe si qëndron e vërteta, por që merkatoja është e vonuar, është. Jemi dy ditë larg nga mbyllja e merkatos dhe klubi duhej të kishte menduar për të paktën edhe dy përforcime.

Meqenëse jemi te merkatoja, trajneri Veselinoviç ka shfaqur pakënaqësi mbi atë çka është bërë në merkato. Si e shihni situatën?

Çfarë është e drejta, nga pikëpamja profesionale, Veselinoviç ka thënë një të vërtetë. Por nga ana administrative e klubit, gjërat duhej të kishin funksionuar më mirë. Flas nga jashtë, sepse nuk e di sesi ata e kanë përcaktuar hierarkinë. Nga ana tjetër, gjërat e shtëpisë nuk duhet t’i marrë vesh lagjja. Kjo varet ndoshta nga raportet që ata brenda kanë dhe nuk di të jap një mendim tjetër.

Kush mendoni se është favoriti kryesor dhe si e shihni Partizanin në raport me tre rivalët?

Ajo që bën diferencën është Egnatia, edhe me afrimet që ka arritur të bëjë gjatë kësaj merkatoje. E ka plotësuar grupin. Dinamon kundër Partizanit nuk e pamë të dominonte dhe të tregonte diferencë. Vllaznia ka ato oshilacionet e veta. Këto tri ekipe i shoh thuajse të barabarta dhe Egnatian më të avantazhuar dhe të kompletuar.

Partizanin e presin dy beteja radhazi në transfertë kundër Laçit? Janë delikate apo mund t’i kalojë lehtë?

Cilësinë për t’i kaluar lehtë nuk mund ta themi se e ka, sepse Laçi, ashtu si Partizani ka lojtarë të rinj dhe të talentuar. Diferencën mendoj se do ta bëjë skuadra që do të jetë më shumë cinike dhe kërkuese. Janë dy sfida delikate për Partizanin, por jo se vendosin shumë mbi vijimësinë e kampionatit. Partizani duhet të konsolidohet dhe të ardhurit duhet të fitojnë besim. Prandaj i shoh të dyja ndeshjet mjaft të vështira. Partizani duhet të japë maksimumin, sepse e tillë është formula. Vijnë dhe të parakalojnë edhe ato vendet që e kanë synim katërshen.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL