EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-kapitenit, Shtubina: Mesfusha është problemi i Vllaznisë, deri në fund do të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2025 | 21:39

EKSKLUZIVE/ Analiza e ish-kapitenit, Shtubina: Mesfusha është problemi i Vllaznisë, deri në fund do të… (E PLOTË)

Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe aktualisht drejtues pranë akademisë kuqeblu, Ndriçim Shtubina, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” së fundmi. Ish-sulmuesi ka komentuar ecurinë e skuadrës shkodrane së fundmi, duke nxjerrë në pah edhe disa “problematika” të vogla.

shtubina

Shtubina thekson se ky pushim i kampionatit duhet t’i shërbejë për të reflektuar ekipit që, sipas tij, i ka të gjitha shanset për të arritur tek titulli kampion.

Shtubina, si e shihni këtë fund edicioni në Superiore?

Besoj se ky fund kampionati po zhvillohet shumë interesant. Sepse po luhet në çdo front, si për zonën e sipërme të tabelës ku kërkohen dy vendet e para të renditjes, por edhe për zonën e rënies nga kategoria. Them se do të jetë një garë shumë e ashpër, deri në minutën e fundit të sezonit, pasi besoj se çdo gjë do të jetë e hapur.

Janë skuadrat brenda pritshmërive dhe asaj çfarë kanë shfaqur në fushë?

Them se tabela e klasifikimit nuk gënjen aspak. Ekipet janë pikërisht në vendet ku duhet të ishin duke parë atë çfarë kanë dhuruar në fushën e lojës. Personalisht nuk jam i surprizuar nga asnjë ekip sepse secila skuadër e meriton vendin ku ndodhet aktualisht në tabelën e klasifikimit.

Vllaznia ka shfaqur luhatje, pse vjen kjo sipas jush?

Vllaznia ka pasur disa probleme, nëse mund t’i cilësoj të tilla, në periudhën e fundit. Mesfusha ka qenë reparti që ndoshta nuk ka dhënë atë çfarë duhet, por kjo nga dëmtimet e shumta që ka pasur ky repart. Ku trajneri Brdariç është detyruar shpesh të ndërrojë titullarët dhe që ka ndikuar edhe në ecurinë e skuadrës. Tashmë që grupi është thuajse i kompletuar e shoh ekipin më të fortë dhe të aftë për të përballuar sfidat.

Më shumë vlen rezultati apo loja në këtë moment?

Absolutisht në këto momente ku jemi në kampionat vlejnë pikët. Me pikët bëhet diferenca dhe arrihen sukseset. Megjithatë edhe loja e mirë dhe cilësore garanton pikët prandaj është një aspekt që nuk duhet harruar.

Duket se skuadra varet nga Balaj?

Balaj është sulmuesi më i mirë jo vetëm i Vllaznisë, por i gjithë kampionatit. Është një luks që ne kemi Bekimin (Balajn) në skuadrën shkodrane. Ai ka shënuar më shumë se kushdo tjetër dhe nëse ai nuk është në ditën e tij, ekipi vuan në sulm dhe për të gjetur golin.

Sa më të fortë mund të rikthehen kuqeblutë pas këtij pushimi?

Ky është një moment reflektimi dhe që vjen në momentin e duhur. Skuadra duhet të rikuperojë forcat e po ashtu të studiojë dhe korrigjojë gabimet e ndeshjeve të shkuara. Të gjithë futbollistët duhet të vijnë me energji të reja dhe më të motivuar për të bërë sa më mirë në ndeshjet e radhës.

Është i aftë ekipi të shkojë deri në fund të kampionatit dhe kupës?

Unë besoj se po. Vllaznia ka lojtarë me eksperiencë në skuadër, që dinë të mbajnë peshën e përgjegjësisë dhe të dërgojnë ekipin drejt sukseseve. Skuadra i ka mundësitë, por gjithmonë duke qenë e përqendruar maksimalisht ndaj çdo kundërshtari. Po ashtu në këtë periudhë është shumë i rëndësishëm menaxhimi i energjive. Ku duhen shpërndarë ndoshta minutat për të gjithë sepse lodhja do të jetë e madhe.

Ndeshja e radhës me Egnatian në transfertë, sa përcaktuese mund të jetë?

Do të jetë një ndeshje e bukur, mes dy skuadrave që kanë cilësi në sulm dhe që dinë të luajnë futboll. Pres një ndeshje të hapur dhe për t’u shijuar nga të gjithë, ku patjetër që dua suksesin e Vllaznisë. Megjithatë si do që të jetë rezultati përfundimtar, nuk besoj se do të jetë edhe aq përcaktuese në fund.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL