EKSKLUZIVE/ 30 vjet shtangë në Shtërmen, Toska: 750 medalje kombëtare dhe 87 ndërkombëtare, ju tregoj fshatin tonë të kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2025 | 23:42

EKSKLUZIVE/ 30 vjet shtangë në Shtërmen, Toska: 750 medalje kombëtare dhe 87 ndërkombëtare, ju tregoj fshatin tonë të kampionëve

Ishte mesi i viteve ’90-të, saktësisht 25 maji i ‘95-ës, kur në fshatin Shtërmen u tund për herë të parë pedana, me krijimin e një ekipi që do të shkruante më pas historinë e Shqipërisë në sportin e peshëngritjes. Gjithçka nisi nga duart e trajnerit Leonard Toska, i cili formoi ekipin e Shtërmenit, skuadër që ndër vite ka nxjerrë dhe vazhdon të prodhojë kampionë të shtangës.

Peshengritje-LEONARD-TOSKA-trofete

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Toska flet për 30-vjetorin e themelimit të Shtërmenit. “Jam vërtet i emocionuar dhe i gëzuar, në këtë 30-vjetor të krijimit të ekipit të Shtërmenit. Janë shumë vite dhe janë marrë shumë medalje, 750 medalje brenda vendit në gara të ndryshme dhe 87 medalje ndërkombëtare”, shprehet Toska.

ZANAFILLA – Trajneri shtërmenas rrëfen sesi vendosi të ndërtojë ekipin e mirënjohur të shtangës. “E kam nisur këtë sport pasi unë vetë kam qenë peshëngritjes me Elbasanin dhe më lindi i deja të formoja dhe unë një ekip. Pak besonin në ato vite që do ia dilja deri këtu, pasi fillimet kanë qenë shumë të vështira për mua. Kam sakrifikuar dhe nga buxheti i familjes time në ato vitet e para të krijimit, për të siguruar bazë materiale. Stërvitjen e kemi nisur te palestra e shkollës 9-vjeçare në Shtërmen, duke afruar shumë djem të rinj me prespektivë.

Klubi i Shtërmenit mori përmasa të mëdha, pasi vetëm vinin djem nga fshati i Shtërmenit, që kishin dëshirë. Sakrificat kanë qenë të mëdha nga ana ime, por asnjëherë nuk jam dorëzuar dhe kam vazhduar vetëm përpara, deri ku jam tani, ku emri i Shtërmenit është bërë i njohur në të gjithë botën anembanë. Puna dhe përkushtimi ka vazhduar dhe në tej, ku vit mbas viti ekipi ka konkurruar denjësisht me ekipe të dëgjuara në Shqipëri”, rrëfen Toska.

LEONARD TOSKA

EMRAT – Më tej trajneri punëtor i peshëngritjes përmend emrat e sportistëve që kanë dalë ndër vite nga Shtërmeni. “Redjan Kumja, Kluas Toska, Gerald Toska, Briken Calja, Xhonson Kryemadhi, kryetari aktual i Bashkisë Cërrik, vëllezërit Kuqja, Andis Salla, Ermal dhe Renato Toska, Taulant Toska, Artur Luli, Arjan Lushi, Alush Hoxha, Ndricim Kumria, Elis Hasani, Olsi Cani, Edmond Calja, Andi Belshi, Alent Elezi, Mariglen Kofsha, Samoel Rrasa, kampioni i tanishëm Ertjan Kofsha etj.

Kemi patur për pesë vjet dhe ekipin e peshëngritjes së femrave, me sportiste si: Çezarina Toska, Erinda Baku, Anisa Çullhaj, Esmeralda Mema dhe të tjera vajza. Ndërsa dua të falenderoj edhe bizesmenët që kanë kontribuar ndër vite për ekipin tonë, si: Arqile Calja, Artur Nela, Bashkim Belshi, Ilir Halluli, gjithashtu edhe Bashkinë Cërrik që na qëndron gjithmonë pranë”, tregon trajneri Toska.

SHKOLLË SHTANGE – “Një fshat si Shtërmeni është përballur dhe përballet nëpër gara dhe përballet si i barabartë me ekipe të mëdha. Ndihem i lumtur pasi kam arritur atë çka desha për këtë ekip. Por nuk do të ndalem, pasi do të vazhdoj të punoj dhe stërvis djem të rinj në këtë akademi, që quhet Shtërmen. Pra ne jemi një shkollë e madhe sportive, që po tronditim botën me ato çka kemi treguar.

Peshengritje-Evropiani-2016-Briken-Calja-Elez-Gjoza-Leonard-Toska

Kam shumë për të thënë për këtë ekip që mbush plot 30 vjet nga krijimi dhe do ta vazhdojmë të punojmë fort dhe të mos ndalemi asnjë ditë. Shpejt na presin gara edhe më të forta ndërkombëtare dhe shpresoj shumë që do t’ia dalim mbanë si gjithmonë për të marrë sa më shumë medalje dhe për ra ngritur edhe më lartë flamurin më të bukur në botë atë shqiptar.

Në fund dua të theksoj se Shtërmeni nuk njihet vetëm për shtangë, por edhe për intelektualë, pasi ka nxjerrë gjithashtu kuadro të ndryshëm, doktorë, inxhinierë, njerëz të artit të kulturës, por gjithashtu dhe bletërritës shumë të mirë”, përfundon trajneri Leonard Toska.

M.MIRAKA – PANORAMASPORT.AL