Egnatia-Vllaznia, prova gjenerale për “Final 4”! Tetova përballë “makthit” dhe Martini koleg i vështirë
Egnatia zbret sot në fushë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, në një përballje direkte me Vllazninë që vlen shumë më tepër sesa tre pikë.
Dueli i sotëm është një betejë e drejtpërdrejtë për vendin e parë në renditje dhe për rrogozhinasit llogaritë janë të qarta: vetëm fitorja bën punë. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova vjen në këtë përballje me objektivin për të marrë kryesimin dhe për të dhënë një sinjal të fortë në këtë fazë vendimtare të sezonit. Në një kampionat ku diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje ka peshë të madhe, përballja me shkodranët konsiderohet një provë force që mund të ndikojë ndjeshëm në rrjedhën e garës për kreun.
MAKTHI I TETOVËS – Përtej rëndësisë që ka për renditjen, kjo ndeshje mbart edhe një histori personale për trajnerin e Egnatias. Tetova ka arritur të fitojë trofe dhe të mundë pothuajse çdo rival gjatë aventurës së tij në pankinë, por ekziston një kundërshtar që deri më tani i ka rezistuar. Bëhet fjalë për trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini, i cili ka rezultuar një kundërshtar i vështirë për t’u kapërcyer për teknikun rrogozhinas. Statistikat e dueleve mes dy trajnerëve janë mjaft domethënëse: 11 përballje në total, ku 5 kanë përfunduar në barazim, ndërsa 6 janë fituar nga Martini. Tre nga këto përballje kanë ardhur këtë sezon në duelet mes Egnatias dhe Vllaznisë, ndërsa të tjerat datojnë nga periudha kur Martini drejtonte Teutën. Në asnjë prej këtyre ndeshjeve Tetova nuk ka arritur të dalë fitues, duke e kthyer këtë duel në një lloj “tabuje” personale për trajnerin e rrogozhinasve. Pikërisht për këtë arsye sfida e sotme ka një motivim shtesë. Përtej pikëve dhe renditjes, Tetova kërkon të thyejë edhe këtë statistikë që deri më tani i ka rezistuar.
RIKTHIMET – Në prag të kësaj ndeshjeje vendimtare, Egnatia vjen edhe me lajme pozitive nga organika e skuadrës. Në dispozicion të trajnerit rikthehen disa futbollistë të rëndësishëm, që pritet të rrisin ndjeshëm alternativat dhe forcën e ekipit në fushë. Rikthimi më i rëndësishëm është ai i kapitenit Albano Aleksi, i cili ka shlyer pezullimin dhe është sërish gati për të udhëhequr skuadrën në mesfushë. Prezenca e tij konsiderohet një element kyç për balancën e ekipit, sidomos në një ndeshje me intensitet dhe presion të lartë. Po ashtu, në dispozicion pritet të rikthehen edhe dy sulmuesit e krahut, Ildi Gruda dhe Kastriot Selmani, që i japin më shumë shpejtësi dhe thellësi repartit ofensiv. Një tjetër alternativë e rëndësishme është edhe mbrojtësi Arbenit Xhemajli, i cili tashmë është konfirmuar përfundimisht si pjesë e skuadrës rrogozhinase për këtë edicion dhe luajti në sfidën e kaluar me Teutën. Me këto rikthime, Tetova pritet të ketë më shumë mundësi për të ndërtuar formacionin dhe për të përballuar një kundërshtar të fortë si Vllaznia.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













