Egnatia pa “frena” në merkato, goditje treshe duke pritur… Redon Xhixhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2025 | 23:16

Egnatia pa “frena” në merkato, goditje treshe duke pritur… Redon Xhixhën

Egnatia nis ofensivën në merkato, duke bërë tri afrime brenda ditës, që përforcojnë ndjeshëm grupin e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova. Rikthimi i brazilianit Fernando Medeiros në skuadër ishte bërë i ditur ditë më parë, ndërsa goditjet e tjera të rrogozhinasve janë portieri Mario Dajsinani dhe mesfushori Leo Melo.

MixCollage-08-Jan-2025-04-15-PM-3950

Për këta të fundit klubi kampion në fuqi ka gjetur marrëveshjet përkatësisht me Laçin dhe Elbasanin. Lëvizje këto me kosto financiare për Egnatian, ndërsa “bomba” e merkatos së dimrit mund të jetë sulmuesi Redon Xhixha, për të cilin drejtuesit rrogozhinas nuk i kanë humbur shpresat. Është folur shumë për një rikthim të mundshëm në Superiore të sulmuesit që luan për Karabagun në Azerbajxhan, ndoshta edhe në formë huazimi, por në garë për këtë futbollist është edhe Partizani.

DAJSINANI – Porta ishte një nga repartet, ku rrogozhinasit kërkonin patjetër të përforcoheshin dhe ia kanë arritur qëllimit dje, duke nënshkruar me “gardianin” e Laçit, Mario Dajsinani. Në njoftimin e klubit saktësohet se ai ka firmosur deri në 2028-ën. Nga sa mësohet, drejtuesit e Egnatias nuk e kanë marrë falas portierin kavajas, sepse ai kishte kontratë me Laçin derti në fund të sezonit. Shifra e kësaj lëvizjeje nuk është bërë e ditur nga klubi në njoftimin zyrtar për afrimin e Dajsinanit.

Gazeta mëson gjithashtu se kurbinasit kanë mbajtur edhe një përqindje të kartonit të tij, çka do të thotë se do të përfitojnë financiarisht në rast të një shitjeje të mundshme të Dajsinanit nga Egnatia. Me këtë afrim trajneri Tetova mund të jetë i qetë sa i takon prapavijës. Pas shitjes së Alen Sherrit në verë, klubi kampion u vu në kërkim të një portieri dhe alternativat ishin disa, madje edhe të huaj, por në gjysmën e parë të sezonit titullar ishte Ilir Dobjani, vendin e të cilit tashmë do ta marrë një kavajas tjetër, Dajsinani. Ky i fundit ishte vënë në shënjestër të drejtuesve të Egnatias që në verë, megjithatë lëvizja është konkretizuar tani. Nga Laçi rrogozhinasit kanë marrë edhe mesfushorin Serxho Ujka.

FERNANDO – “Panorama Sport” e kishte paralajmëruar prej kohësh rikthimin e Fernandos në Rrogozhinë, por vetëm dje kjo lëvizje ka marrë formë zyrtare. Braziliani i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje për te qenë gati për ndeshjen e radhës në kampionat. “Fernando is back. Futbollisti ka firmosur kontratën në praninë e presidentit dhe i është bashkuar ekipit në stërvitje. Fernando do jetë pjesë e Egnatias deri në përfundim të 2027-ës”, shkruhet në postimin e klubit në rrjetet sociale. Në fund të sezonit të kaluar 28-vjeçari la kampionët dhe shkoi në Azerbajxhan, te skuadra e Sumqayit, por aventura aty nuk shkoi si duhet dhe tashmë është rikthyer. Në dy sezone me rrogozhinasit Fernando ka fituar titullin kampion dhe Kupën. Përshtatja e tij me skuadrën nuk është e vështirë, pasi rikthehet në një habitat që e njeh mjaft mirë.

LEO MELO – “Armatës” së Egnatias i shtohet edhe mesfushori me tipare sulmuese i Elbasanit, Leo Melo. “Panorama Sport” mëson se braziliani ka mbyllur transferimin e tij në Rrogozhinë, por ekipi i Elbasanit ka mbajtur 20% të kartonit të tij, në rast të një shitjeje të mundshme. Bëhet fjalë për një futbollist me cilësi të mira teknike, por që këtë edicion te verdheblutë i kanë munguar hapësirat dhe ai nuk ka treguar shumë nga repertori i tij. Te kampionët mund të ketë më shumë minuta në dispozicion, nëse do t’u përshtatet skemave të lojës së trajnerit Edlir Tetova.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL