Egnatia, nis lufta për finalen e katërt. Rrogozhinasit në kërkim të suksesit të parë sezonal ndaj Elbasanit
Egnatia do të zbresë nesër në fushë për t’u përballur me Elbasanin në ndeshjen e parë të Kupës, një takim që luhet në Rrogozhinë dhe që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në këtë kompeticion.
Objektivi i skuadrës vendase është i qartë: sigurimi i fitores që në sfidën e parë, në mënyrë që të mos mbeten gjithçka për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit në Elbasan. Përballja pritet të jetë e vështirë për Egnatian, duke qenë se gjatë këtij sezoni nuk kanë arritur të mposhtin Elbasanin në kampionat. Kjo e bën kundërshtarin edhe më të rrezikshëm, pasi ka treguar se di si t’i hapë probleme skuadrës nga Rrogozhina. Megjithatë, te Egnatia mbizotëron opti mizmi, sidomos pas fitores së fundit ndaj Bylisit, një rezultat që ka rikthyer moralin dhe besimin në skuadër. Forma e mirë e fundit shihet si një shtysë e rëndësishme për të synuar maksimumin në këtë ndeshje të parë.
RITKHIMET – Lajmi më pozitiv për stafin teknik është rikthimi i disa lojtarëve kyç. Mesfushorët Altin Kryeziu dhe Flamur Ruçi janë sërish në dispozicion të skuadrës, pasi munguan në sfidën ndaj Bylisit për shkak kartonësh. Prania e tyre pritet të forcojë ndjeshëm mesfushën dhe të sjellë më shumë balancë në lojë. Nga ana tjetër, mungesa e vetme mbetet ajo e kapitenit Albano Aleksi, i cili është i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës. Mungesa e tij është një goditje për ekipin, por stafi teknik beson se skuadra ka alternativat e duhura për ta përballuar këtë sfidë.
SYNIMI – Egnatia e di se një rezultat pozitiv në shtëpi do t’i japë një avantazh të madh për ndeshjen e kthimit. Për këtë arsye, pritet që skuadra të hyjë në fushë me një qasje agresive dhe me synimin për të zgjidhur sa më shumë nga kualifikimi që në këtë sfidë të parë. Të mbështetur nga tifozët e tyre dhe nga momenti pozitiv që po kalojnë, rrogozhinasit shpresojnë të hedhin një hap të sigurt drejt fazës tjetër të Kupës.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













