E KRYER/ Presidenti Demi zgjidh një problem të madh, Partizani gjen më në fund drejtorin e ri sportiv
Klubi i Partizanit ka gjetur më në fund drejtorin e ri sportiv, duke plotësuar vendin e lënë bosh nga Arbër Abilaliaj dy muaj më parë.

Presidenti i të kuqve, Gazment Demi, ka gjetur akordin me një emër që njeh mirë futbollin shqiptar, ndonëse eksperienca e tij e parë në këtë rol në vendin tonë nuk ishte edhe aq e suksesshme. “Panorama Sport; ka mësuar se Agim Ibraimi ka arritur akordin me të kuqtë dhe do të jetë ai personi i cili do të drejtojë merkaton e klubit kryeqytetas.
Ibraimi u largua në fundin e sezonit të kaluar nga Tirana pas një viti ku kishte ai në dorë drejtimin e bardhebluve duke ndërtuar skuadrën kryeqytetase. Por ekipi zhgënjeu në fushë dhe jo vetëm nuk ia doli të kualifikohej në “Final Four”, por e mbylli sezonin me pjesëmarrjen në play-out për të mos rënë nga kategoria.
Një situatë që duket nuk ka shqetësuar të kuqtë, të cilët do i besojnë atij një detyrë të rëndësishme, atë të sigurimit të përforcimeve për pjesën e dytë të këtij sezoni ku ndjekin një vend në “Final Four”.
PANORAMASPORT.AL













