E konfirmon drejtori Ferko: Flamurtari nuk ndalet në merkato, stadiumi gati për 30 gusht
Surprizat nuk kanë fund – Flamurtari i Kategorisë Superiore projekton afrime të tjera. Mbrojtësi i majtë, Erik Veiga, i prezantuar pasditen e së enjtes, nuk do të jetë përforcimi i fundit për kuqezinjtë.

Drejtori i klubit, Alfred Ferko, në një prononcim për “Panorama Sport”, konfirmon se merkato vazhdon të jetë e hapur dhe se do të ketë afrime të tjera që do t’i bashkohen organikës aktuale. “Që në fillim kemi premtuar se me ngjitjen në Kategorinë Superiore do të sillnim risi, dhe kështu bëmë. Kemi ndërtuar një skuadër të fortë dhe konkurruese për të arritur objektivat. Po punojmë intensivisht. Merkato nuk është mbyllur. Së shpejti do të kemi disa emra të rinj që do t’i bashkohen skuadrës”, – u shpreh Ferko.

Stadiumi i transformuar
Ferko premton se më 30 gusht, kur Flamurtari do të zhvillojë ndeshjen e parë në Vlorë ndaj Bylisit, stadiumi do të jetë plotësisht gati. “Po kryhen të gjitha punimet. Kanë mbërritur stolat e rinj për tribunat, përfshirë edhe atë VIP. Nga nesër nis montimi i tyre në të gjithë stadiumin. Jemi të bindur që më 30 gusht stadiumi do të jetë gati për kampionatin dhe për tifozerinë vlonjate. Do të kemi ndriçim LED modern – aktualisht po hiqen dritat e vjetra dhe po vendosen të rejat”, – deklaroi drejtori.

Pamje e re
Stolat e rinj, të ardhur nga Turqia, do të vendosen në tribunën qendrore dhe në të gjitha tribunat e tjera. Impianti po pëson ndryshime si brenda, ashtu edhe jashtë – me punime lyerjeje dhe instalime të reja. Përveç ndriçimit LED, stadiumi do të ketë një tabelë elektronike të re që do të tregojë kohën e lojës dhe ekrane për transmetim live të ndeshjeve.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













