Dy ndeshje ku mund të ndodhë gjithçka, java e 25-të e Superiores mbyllet sot me sfida të rëndësishme për “Final Four” dhe mbijetesën
Java e 25-të e Kategorisë Superiore mbyllet sot me dy ndeshje shumë të rëndësishme për garën për një vend në “Final Four” dhe mbijetesën në elitë.

Sfida e parë luhet në orën 13:30 mes Tiranës dhe Teutës në “Selman Stërmasi”, një përballje që sheh bardheblutë në kërkim të pikëve për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë të klasifikimit. Ndërkohë, miqtë duan të vazhdojnë serinë e fitoreve, në mënyrë që t’i afrohen edhe më shumë katërshes së parë.
Më pas, vëmendja zhvendoset në sfidën e orës 16:30 në Vlorë, ku Flamurtari vendas pret Partizanin në një duel shumë të ethshëm mes ekipeve të cilat po ashtu kanë objektiva të rëndësishëm për të arritur. Vlonjatët duan edhe ata t’i ikin fundit të tabelës dhe tre pikët janë thelbësore për ekipin e Morieros i cili është në diskutim. Ndërsa Partizani ka rastin e artë që me një fitore, të arrijë në renditje Dinamon e vendit të katërt dhe ta shohë veten për herë të parë në këtë sezon të përfshirë mes skuadrave që luftojnë për titullin.
JAVA 25
Të premten
Egnatia-Dinamo 1-0
Të shtunën
Bylis-Vllaznia 2-1
Elbasani-Vora 2-1
Sot
Tirana-Teuta ora 13:30
Flamurtari-Partizani ora 16:30

PANORAMASPORT.AL













