Dy bileta të sigurta për elitën dhe një kurorë kampioni. Titulli, dilema e vetme mes Skënderbeut dhe Laçit
Skënderbeu dhe Laçi, dy skuadrat që sezonin e kaluar ranë nga Superiorja, kanë arritur rikthimin e menjëhershëm në elitë edhe pa përfunduar ende kampionati i Kategorisë së Parë. Dy javë para fundit të sezonit, të dy ekipet kanë siguruar matematikisht ngjitjen direkte.

Aktualisht, Skënderbeu kryeson renditjen me 76 pikë, ndërsa kurbinasit e ndjekin me 3 pikë më pak. E vetmja dilemë që mbetet është se cila prej tyre do të shpallet kampione e Kategorisë së Parë, një verdikt që pritet të vendoset në 180 minutat e fundit, përfshirë edhe përballjen direkte mes dy skuadrave në stadiumin e Korçës. Në lojë është edhe shpërblimi prej 20 milionë lekësh (të vjetër), që FSHF akordon çdo sezon për ekipin kampion.
Laçi pa presion, thirrje për tifozët
Në javën e 32-të, Laçi do të presë në shtëpi Kukësin, një skuadër që lufton për mbijetesë. Në prag të kësaj sfide, pa shumë presion, klubi kurbinas u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje maksimale: “Ndeshja e së shtunës është e fundit në shtëpi për këtë sezon. Ju ftojmë të na bashkoheni për të marrë maksimumin nga ky edicion, para se të rikthehemi në elitë, aty ku e meritojmë të jemi. Një tjetër sfidë e fortë na pret më 25 prill, ora 15:00, në stadiumin ‘Laçi’. Le të përsërisim atmosferën e ndeshjes së fundit, me ju, fitorja është më e bukur dhe më e lehtë. Hyrja do të jetë falas në tribunën përballë”.
Skënderbeu kërkon titullin në derbin e juglindjes
Nga ana tjetër, Skënderbeu udhëton drejt Pogradecit për derbin e juglindjes. Pogradecarët vijnë në këtë sfidë të goditur moralisht pas humbjes në Laç dhe mes një klime jo të qetë në skuadër, ku spikasin debatet e brendshme dhe pezullimi pa afat i kapitenit. Ndeshja pritet të jetë pa presion të madh për të dyja ekipet, por korçarët duken më të motivuar, pasi synojnë tri pikët për të siguruar rikthimin në Superiore si kampionë. Ndërkohë, për Pogradecin fokusi është te shfrytëzimi i mundësisë së dytë përmes “play off”-it, edhe pse situata brenda ekipit mbetet e tensionuar. Në fund, gjithçka mbetet e hapur, Skënderbeu dhe Laçi kanë siguruar elitën, por beteja për fronin vazhdon deri në sekondat e fundit.
PANORAMASPORT.AL













