Dushku: E mbyllim sezonin me fitore
Apolonia ka startuar ditën e djeshme përgatitjet për sfidën e fundit të kampionatit, që do të luajë në shtëpi me Flamurtarin. Fierakët synojnë të përsërisin lojërat e bukura të zhvilluara në ndeshjet e fundit, por dhe t’i japin lamtumirën Superiores së këtij sezoni, duke arritur një tjetër rezultat pozitiv. Trajnerit Elidon Demiraj, si asnjëherë tjetër, nuk i është dashur t’i motivojë të besuarit e tij, pasi ka parë tek ata optimizëm e besim se do të arrijnë t’ia dalin mbanë. Sulmuesi Rigers Dushku, autor i golit të barazimit në ndeshjen e kaluar ndaj Besës, edhe pse e vlerëson kundërshtarin e radhës, shpreh besimin e skuadrës së tij se do të dijë ta mbyllë në mënyrë dinjitoze kampionatin. “Do të kërkojmë të bëjmë një lojë sa më të mirë për t’i kënaqur tifozët tanë. Nuk do të jetë e lehtë për ta mundur Flamurtarin, por gjithsesi ne nuk i trembemi. Po kalojmë një formë të mirë dhe ndaj Besës morëm një barazim të merituar. Me pak më shumë kujdes mund ta kishim fituar atë takim. Megjithatë, me lojën tonë treguam se jemi në rrugë të mbarë drejt formimit të një skuadre me mendim e mentalitet të ri për sezonin e ardhshëm. Do të militojmë në Kategorinë e Parë, por sigurisht synimet janë të qarta për t’u kthyer sërish në Superiore. Tashmë jemi tërësisht të përqendruar te ndeshja e së shtunës ndaj Flamurtarit dhe do të përpiqemi ta fitojmë. Dua të shënoj sërish, për ta përfunduar këtë kampionat me 4 gola”, – deklaroi Dushku për “Panorama Sport”. Sulmuesi tiranas, bashkë me Andi Ribajn është golashënuesi më i mirë i skuadrës. Pritet që 22-vjeçari Dushku të qëndrojë te fierakët edhe sezonin e ardhshëm.
Mario Gjika













