Duka: Derbi si lojë e policisë, çfarë më tha kryeministri Rama për bashkëpunimin me Serbinë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i ftuar në emisionin “Skaner” drejtuar nga Gert Çarçani në “MCN TV”, u ndal të fliste për derbin Partizani-Tirana dhe zbuloi se justifikimi i policisë për mosmarrjen përsipër të sigurisë në këtë sfidë ishte i pavend. Sipas tij, e gjitha kjo shërben si një lojë e policisë për të shmangur përgjegjësinë nga vetja.
“Nëse do të shohësh shkresën e policisë për organizimin e derbit në “Arenën e Demave”, që është një stadium simpatik. Nëse do ta rendisni në gjendjen e stadiumeve në rajonin e Balljanit, nëse nuk është në 5 më të mirët, në 10 më të mirët është. Dhe të thuash që nuk marrim përsipër të zhvillojmë një ndeshje futbolli në këtë stadim. Nëse i lexoni argumentat, thonë se kapaciteti i stadiumit është më i vogël se kërkesat e tifozëve. Tani kur luan Kombëtarja ne kemi 300 mijë kërkesa dhe në stadium hyjnë 25 mijë njerëz. Çfarë do të thojë policia, që të mos ta bëjmë në “Arenën Kombëtare”. Ku të shkojmë, në Hënë? Ne kemi luajtur futboll në vitin 1991, kur Shqipëria ishte ashtu siç ishte. Ne kemi luajtur futboll në vitin 1997. Në 2025-n, 90% e stadiumeve në Shqipëri kanë shkresa nga policia që janë të papërshtatshëm dhe nuk marrin përsipër sigurinë. Kjo është një lloj loje që mendojnë se e hoqën nga vetja.
Ai stadium në fakt është shumë i mirë. Kur policia arriti në stadium gjithçka ishte perfekte. Domethënë që e bëjnë kur duan ta bëjnë. Le ta shohin sportivisht sportin. Ne nuk marrim urdhëra nga policia për të organizuar ndeshje. Policia ka për detyrë të ruajë rendin publik në çdo lloj aktiviteti. Nëse nuk do ta ruajë, le të mos e ruajë. Ai është një nga stadiumet më të mirë në rajon. Nuk mund të thojë policia që kapaciteti është më i vogël se kërkesat. Më duket pak absurd. Edhe sot erdhi një shkresë nga policia që nuk merr përsipër organizmin e ndeshjes Delvina-Orikumi. Rreth 90% të shkresave nga policia janë të tilla. E bëjnë që edhe ndodh diçka, thonë që ne jua thamë”, tha ai.
Duka gjithashtu foli edhe për zhvillimin e Kampionatit Europian 2025 për 21-vjeçarët në Shqipëri dhe në Serbi. Kreu i FSHF-së ka sqaruar për opinionin publik se aplikimi fillimisht ka qenë i veçuar, por më pas u pa e udhës bashkëpunimi me Serbinë.
“Ne kemi aplikuar për të qenë organizatorë të Kampionatit Europian U21 të futbollit vetëm. Edhe Serbia vetëm, edhe Turqia me Belgjikën. Ky është një aktivitet shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm, edhe për Shqipërinë. Përmirëson infrastrukturën, vë futbollin shqiptar në qendër të vëmendjes, aq sa mund ta vërë. Padyshim që ne jemi njerëz të futbollit, por jemi edhe qytetarë shqiptarë. Ne e dimë historinë. Por nuk mund të mbetemi peng të historisë. Ne nuk do ta ndryshojmë historinë, nuk do ta amnistojmë historinë. Shumë mendojnë që është shumë i mirë organizimi i kampionatit europian, por jo me Serbinë. Ne japim një mesazh paqeje.
Rama është kryeministër i vendit, por ai nuk e ka ditur fare kur ne kemi marrë këtë iniciativë. Sigurisht që unë e kam pyetur, sepse për të organizuar këtë kompeticion duhet edhe miratimi i qeverisë. Kur e kam pyetur: “Ta vazdojmë këtë bashkëpunim me Serbinë”, më ka thënë: “Fantastike”. Finalja do të bëhet në Tiranë. Ngjarja më e madhe e kampionatit është ndeshja finale. Përpos ekipit tonë kombëtar, do të marrin pjesë ekipet më të mira kombëtare. Serbët do të luajnë në Serbi, ne do të luajmë në Shqipëri dhe të gjithë do të jenë të kënaqur.
Nuk mund të marrësh të drejtën e një kompeticioni të tillë pa dhënë ca prova. Dhe ne i kemi dhënë provat me finalen e Conference League. Madje një kompeticion ishte vendosur të zhvillohej në një vend tjetër dhe ekipet pjesëmarrëse thanë: ‘Më mirë të organizohet në Shqipëri’. Shumica e analistëve në Kosovë janë dakort me këtë organizim, por për populizëm bëjnë këto deklarata”, përfundoi Amand Duka.
PANORAMASPORT.AL













