Duhet rezultat për të mos iu kthyer makthit, Tirana me “fytyrë” sulmuese ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2026 | 9:09

Duhet rezultat për të mos iu kthyer makthit, Tirana me “fytyrë” sulmuese ndaj Teutës

Tirana do të rikthehet në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Përballë do të ketë Teutën në një sfidë që pritet të jetë intensive dhe me peshë për objektivat e sezonit.

tirana

Bardheblutë kërkojnë vazhdimësi në rezultate dhe një paraqitje bindëse përpara tifozëve të tyre, në një moment delikat të kampionatit. Trajneri i Tiranës pritet t’i besojë një formacioni me theks të qartë ofensiv, duke sinjalizuar që skuadra do të kërkojë kontrollin e lojës dhe dominimin territorial që nga minuta e parë.

Në portë do të jetë Bekaj, një pikë referimi për sigurinë në prapavijë dhe organizimin e mbrojtjes. Reparti difensiv pritet të përbëhet nga Vera në krahun e djathtë, me Haxhiun si alternativë, ndërsa në qendër do të vendosen Lleshi dhe Kresiç. Në të majtë pritet të aktivizohet Kortez. Katërshja e mbrojtjes do të ketë detyrën të ruajë ekuilibrin mes kujdesit prapa dhe mbështetjes së aksioneve sulmuese nga krahët, sidomos në momentet kur Tirana do të kërkojë të shtyjë përpara.

Në mesfushë, Rafael, Myslovic dhe Kobiljar formojnë boshtin e skuadrës. Rafael pritet të mbajë rolin e organizatorit, duke lidhur repartet dhe duke diktuar ritmin e lojës. Myslovic do të ketë detyra më të theksuara fizike dhe mbrojtëse, ndërsa Kobiljar mund të jetë elementi surprizë me depërtimet dhe goditjet nga distanca. Ky repart do të jetë vendimtar për të fituar betejën në mesin e fushës dhe për të kufizuar kundërsulmet e kundërshtarit.

Në sulm, Tirana pritet të rreshtohet me Tabekun dhe Xhixhën në krahë, dy lojtarë që ofrojnë shpejtësi dhe driblim, duke tentuar të hapin mbrojtjen e Teutës me lëvizje diagonale dhe krosime në zonë. Në qendër do të jetë Ernesti, i cili mbetet pika kryesore e referimit në repartin ofensiv, me instinktin e tij për golin dhe prezencën fizike në zonë. Falaje shihet si alternativë e vlefshme për pjesën e dytë, sidomos nëse loja kërkon më shumë forcë apo freski në vijën e parë.

asdsadds

Sfida ndaj Teutës nuk pritet të jetë e lehtë. Durrsakët njihen për organizimin dhe disiplinën taktike, çka do ta detyrojë Tiranën të jetë e kujdesshme në menaxhimin e momenteve të lojës. Çelësi për bardheblutë do të jetë efikasiteti në finalizim dhe shmangia e gabimeve individuale në prapavijë. Me mbështetjen e publikut në “Selman Stërmasi” dhe me një formacion që premton intensitet e kreativitet, Tirana synon të marrë tre pikë të rëndësishme, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës në vazhdimësinë e sezonit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL