“Duhej një shpërndarje më e rregullt e ndeshjeve”, Daja para duelit me Egnatian: Me ndriçimin është kompletuar si klub, Elbasani ka hapur garën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2025 | 16:35

“Duhej një shpërndarje më e rregullt e ndeshjeve”, Daja para duelit me Egnatian: Me ndriçimin është kompletuar si klub, Elbasani ka hapur garën

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka theksuar se skuadra e tij shkon në ndeshjen ndaj Egnatias me objektivin për të synuar maksimumin ndaj ekipit që kryeson tabelën. Por ai ka vlerësuar maksimalisht rrogozhinasit të cilët sipas tij janë kompletuar tashmë edhe me stadiumin e ri dhe ndeshjet nën ndriçimin artificial.

ilir daja

“Kemi përpara një ndeshje goxha të vështirë, sepse Egnatia me plot meritë kryeson klasifikimin dhe është kampione në fuqi. Edhe Vllaznia e Partizani kanë bërë kampionat të mirë, edhe Elbasani duke hapur pak garën. Jemi 4-5 ekipe që luftojmë në pjesën e sipërme të renditjes.

Egnatia ka një manovër të konsoliduar dhe meritë ka trajneri dhe stafi i tij. Ka një kontingjent me role të dubluara. Tani ka edhe një stadium të ndriçuar, që i ka dhënë më shumë bukuri dhe e ka kompletuar si klub.

Përtej të gjitha këtyre, edhe ne jemi një ekip që kemi bërë mirë. Vijmë nga një anë psikologjike e mirë, po na rikthehen lojtarët, pavarësisht se edhe këtë herë kemi mungesa. Do të jetë një lojë e hapur, sepse diferencën e golave e kemi të barabartë. Shpresoj të bëjmë sa më pak gabime. Nëse lëmë hapësira, lojtarët e Egnatias bëjnë dëm në çdo moment.

Duhet përqendrim për të tentuar maksimumin edhe në Rrogozhinë. Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Barazimi i fundit nuk ka ndikuar tek Egnatia. Edhe ne kemi potencialin e duhur për të bërë mirë në Rrogozhinë, i kemi të gjitha mundësitë. Kemi edhe ne individë që mund të dëmtojnë. Do të jetë spektakli brenda, kush do të jetë më pragmatist, do të shkojë te fitorja.

Mund të ishte bërë një shpërndarje më e rregullt e ndeshjeve, të them të drejtën. Të kishim 3-4 ditë në dispozicion për ndeshjen e radhës, ne dhe gjithë të tjerët. Të dielën kishim derbin, të hënën një seancë riaftësuese dhe sot një ditë para ndeshjes. Koha nuk ka qenë në favor as për ne dhe as për kundërshtarin. Duhet të tentojmë të marrim drejtimin e lojës.

Kemi dy mungesa, kemi edhe një lojtar që po rikuperohet. Kemi të njëjtin kontingjent si në derbin me Tiranën. Po të ishte një kampionat pa ‘Final 4’, kjo ndeshje do të ishte shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Është edhe një parapërgatitje për ‘Final 4’”, tha Daja para gazetarëve.

PANORAMASPORT.AL