Dinamo zbret në fushë, Ilir Daja test ndaj dy ish-ekipeve
Dinamo ka mbyllur javën e dytë të fazës përgatitore verore në Ohër, fazë e cila shkon në funksion të prezantimit të kryeqytetasve në Ligën e Konferencës.
Dinamovitët janë me fat në këtë kthim në Europë, pas një mungese 15-vjeçare, pasi kanë kaluar direkt në turin e dytë të këtij kompeticioni. Edhe shorti i turit të dytë ka qenë fatsjellës, pasi në letër duket i kalueshëm për “nëndetësen”. Blutë do të përballen me fituesin e çiftit Atletik Eskaldes (Andorra) – Didelazh (Luksemburg).
Dy javët e para në Maqedoninë e Veriut kanë qenë intensive për të besuarit e trajnerit Ilir Daja, të cilët po marrin ngarkesë maksimale për ta kaluar me sukses turin e dytë në Ligën e Konferencës. Tani ka ardhur momenti që dinamovitët të zbresin në fushë dhe të përballen në kushte loje me kundërshtarë me emër, pa dyshim në kuadrin e ndeshjeve miqësore. Dinamo ka hasur në vështirësi në dy javët e para për të gjetur kundërshtar për fazën përgatitore në Ohër.
Madje, në fundjavën e shkuar, për të provuar se deri ku kanë ecur me përgatitjet, drejt Ohrit ka udhëtuar ekipi i të rinjve të Dinamos. Testi brenda familjes u fitua nga ekipi i trajnerit Daja me rezultat 5- 0. Java e tretë e kësaj faze nis me lajme të mira edhe në aspektin e ndeshjeve të kontrollit. Dinamo do të përballet brenda kësaj jave ndaj dy ekipeve, që më parë i ka drejtuar trajneri Ilir Daja. Pikërisht bëhet fjalë për Ballkanin e Suharekës, që drejtohet nga trajneri Oreges Shehi, si dhe ndaj Partizanit të Skënder Gegës.
Miqësorja me Ballkanin është programuar që të zhvillohet ditën e martë, ndërsa të shtunën kanë testin e dytë të javës, që është derbi me Partizanin. Padyshim, këto përballje u vlejnë të tria ekipeve, që po përgatiten në Ohër për sezonin e ri në Ligën e Konferencës.
PANORAMASPORT.AL













