Dinamo zbarkon në Shkodër për duelin e polemikave, “nëndetëses” i duhet hakmarrje për të shmangur fundosjen
Dinamo po kalon një moment të vështirë në kampionatin shqiptar dhe pasi ka humbur vendin e katërt në klasifikim, rrezikon tashmë seriozisht pjesëmarrjen në “Final 4”. Partizani është skuadra që i ka zënë vendin bluve dhe forma që të kuqtë po kalojnë, lidhur edhe me formën e Dinamos, e ka bërë edhe më të vështirë rrugëtimin e “nëndetëses”.

Në fundjavë, Dinamo do të ketë një tjetër test të vështirë dhe do të përballet në Shkodër me Vllazninë, një nga skuadrat më në formë të këtij momenti në Superiore. Shkodranët janë në vendin e parë dhe kërkojnë vetëm fitore për të vazhduar të sigurt në rrugëtimin drejt titullit kampion dhe duket se ky sezon, është i duhuri për të besuarit e Edi Martinit.
Nëse për Vllazninë rezultati është i rëndësishëm për të forcuar edhe më shumë pozitat e saj në klasifikimin, ndryshe është situata në kampin blu. Dinamo kërkon që të fitojë për t’u afruar sërish me zonën Europiane dhe për të mos humbur edhe vendin e pestë gjithashtu. Diferenca me Partizanin është 4 pikë dhe një rezultat negativ, i lidhur me një rezultat pozitiv të Partizanit, do ta bënte praktikisht të pamundur pjesëmarrjen në “Final 4”.
Nga ana tjetër, fitorja e Teutës në përballjen direkte me Dinamon, e ka ngushtuar diferencën mes tyre në 2 pikë dhe presioni që Dinamo tashmë ndjen nga poshtë është relativisht i madh pasi vetëm një fitore ose humbje, mund të ndryshojë gjithçka.
PËRBALLJET DIREKTE- Dinamo e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe si për ironi të fatit, ishte pikërisht takimi ndaj Vllaznisë në debutimin e bluve. Në “Elbasan Arena”, Dinamo arriti të merrte një fitore të madhe duke e mundur Vllazninë me rezultatin 3-1, në një përballje ku Vllaznia dha sinjalet e një skuadre që ishte larg pritshmërive, ndërsa nga ana tjetër, Dinamo vinte nga shkëlqimi në Europë dhe e vazhdoi edhe në kampionat, të paktën deri në një pikë të kampionatit.
Megjithatë, fitorja e madhe u pasua nga zhgënjim në javët në vazhdim dhe Dinamo “harroi” si fitohet ndaj Vllaznisë në dy fazat e tjera. Në Shkodër, Dinamo u mund me rezultatin 1-0, por në atë takim që kishte gjithçka, të besuarit e Dajës arritën të bindin me lojën e tyre e madje padrejtësisht, iu anulua edhe goli i barazimit. Por, nëse në Shkodër, Dinamo u ndje e “vjedhur” dhe me humbje të pamerituar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë në Tiranë. Shkodranët dhuruan spektakël ndaj Dinamos duke e mundur me rezultatin 0-2, në një takim ku gjithçka foli për kuqeblutë.
POLEMIKAT- Veç humbjeve në dy fazat e kampionatit, Dinamo ka pasur edhe problematika të shumta me Vllazninë. Nëse këtë sezon Dinamo ka qenë një nga skuadrat më të qeta dhe me më pak “rivalë jashtë fushe”, e kundërta ka qenë me Vllazninë. Përveç sfidës së parë të luajtur në Elbasan e cila u mbyll përgjithësisht me qetësi dhe pa tensione, nuk mund të thuhet e njëjta për sfidën në Shkodër.
Dy skuadrat e nisën sfidën shumë ditë para sfidës, sidomos shkodranët që nuk i ndalën provokimet. Këto provokime, u pasuan edhe në fushën e blertë ku Martini shkaktoi tension mes dy pankinave me festën e tepruar. Ndërkohë, të shumtë ishin tifozët në shkallët e stadiumit që në kor ofenduan stafin dhe lojtarët e Dinamos, duke treguar se nuk është një ndeshje e zakonshme e kampionatit shqiptar.
Thuajse e njëjta pasqyrë ishte edhe në “Air Albania”. Dy skuadrat rivalizuan dhe sërish pati tension mes tifozëve dhe pankinave respektive ku ashtu si në takimin e parë, edhe në këtë sfidë u dënua Edi Martini për festën e zhvilluar, pasi “festa e famshme me krah”, u përsërit edhe pse presidenti Xhaferi e kaloi në kuadrin e shakasë. Pas ndeshjes, numri një i klubit shkodran, u shpreh se me festime të tillë, në Shkodër është kthyer si simbol i përshëndetjes, duke ironizuar në një farë mënyre.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













