Dinamo nuk gjen qetësi, shtohen dëmtimet para Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2025 | 20:50

Dinamo nuk gjen qetësi, shtohen dëmtimet para Elbasanit

Dinamo po vijon me përgatitjet për ndeshjen ndaj Elbasanit, por Daja nuk po arrin të gjejë qetësi. Mungesat janë kthyer në një problem serioz për blutë, teksa sërish ka mbetur jashtë dyshja e sulmit, Guindo-Nani. Qendërsulmuesi prej ditësh ka pësuar një dëmtim në gju dhe ende nuk është gati për t’u bashkuar me ekipin ndërkohë që shqetësime ka edhe për Nanin.

Dinamo Elbasan Arena

Sulmuesi anësor kishte në fillim probleme shëndetësore dhe u duk se po e merrte veten, por tashmë ka mbetur sërish jashtë skuadrës. Një shqetësim muskulor, nuk e ka lejuar Nanin që të jetë me grupin duke zhvilluar kështu stërvitje individuale. Ditët në vijim, pritet që të shihet më mirë edhe gjendja e tij, por duket se do të jetë e vështirë që të jetë në 100% e vet për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit. Ky takim, është planifikuar të luhet të shtunën në orën 19:00 në “Air Albania”.

ALIJI DHE BERISHA- Sakaq, në stërvitje ditën e djeshme është bashkuar Naser Aliji. Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, Aliji luajti titullar kundër Anglisë dhe duke marrë minuta të plota. Lajmi i mirë është padyshim gjendja e tij fizike, që duket se tashmë është në 100%, pasi shqetësimi që kishte me pubalgjinë pak kohë më parë, është larguar.

Aliji luajti edhe në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe sfida e fundit ndaj Anglisë, e ka konfirmuar gjendjen e tij. Ditën e nesërme, pritet që me skuadrën të bashkohet sulmuesi Hekuran Berisha. Talenti nga Kosova luajti në ndeshjen kundër Finlandës U21, të barazuar me rezultatin 0-0 në transfertë dhe pritet të jetë me skuadrën shumë shpejt.

PANORAMASPORT.AL