Dinamo, një ndër skuadrat më të shtrenjta në Superiore! “Nëndetësja me ndryshime, Bregu merr stafetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2026 | 8:19

Dinamo, një ndër skuadrat më të shtrenjta në Superiore! “Nëndetësja me ndryshime, Bregu merr stafetën

Dinamo ka qenë në vitet e fundit një nga skuadrat më aktive në merkato dhe vetëm verën e shkuar, fitoi shumë të konsiderueshme pasi shiti Zabërgjën dhe Itodon.dinamoPor, shitjet për Dinamon nuk kanë munguar edhe në merkaton e janarit duke qenë se drejt Superligës turke, do të shitet mesfushori Gasama Karamba për 200 mijë euro, duke ndihmuar kështu arkat e klubit dinamovit. Sakaq, paraqitjet e lojtarëve aktualë, por edhe ndeshjet e fundit kanë ndikuar në vlerat e lojtarëve të tjerë, që aktualisht janë nën kontratë me Dinamon.

Disa prej tyre, kanë pasur rritje të konsiderueshme ndërkohë që ka edhe shumë lojtarë të tjerë që kanë pësuar ulje të vlerës në treg, sipas “Transfermarkt”. Kështu, Bregu që është një nga lojtarët më të spikatur me Dinamon, është aktualisht futbollisti më i shtrenjtë në skuadër, ndërkohë që disa lojtarë që aktivizohen me të rinjtë, nuk kanë ende një vlerësim.

RRITJET MË TË MËDHA-Mund të duket e çuditshme, por lojtari që ka pësuar rritjen më të madhe në treg këtë sezon te Dinamo, është portieri Aldo Teqja. Vlera e gardianit ishte 150 mijë euro para rivlerësimit të fundit, ndërkohë që aktualisht kushton 250 mijë duke e parë kartonin e tij të rritet me plot 100 mijë euro. Ndërkohë rritje të konsiderueshme ka pasur edhe Qardaku, që e ka vlerën tashmë 175 mijë euro, nga 100 që e kishte para disa ditësh. Sulmuesi po luan si mesfushor me blutë dhe deri në këtë pikë të kampionatit, ka bindur duke qenë ndër lojtarët më të dalluar, pavarësisht se po aktivizohet në një rol që nuk ka lidhje me rolin e tij natyral. Lojtarët e tjerë, kanë pasur rritje me rreth 50 mijë euro dhe shumë pak prej tyre kanë pasur një rritje që shkon deri në 25 mijë euro, duke mos bërë diferencë të madhe. Disa prej tyre, kanë të njëjtat vlera.

VLERAT NË RËNIE- Ashtu si lojtarët që e kanë parë kartonin e tyre duke pësuar rritje në treg, ka edhe lojtarë, vlera e të cilëve është ulur. Kështu, Bernard Berisha është lojtari që ka pësuar rënien më të madhe, me kartonin e tij që ka zbritur në 400 mijë euro, nga 600 mijë që ishte kur u bashkua me Dinamon. Sulmuesi anësor nuk ka qenë një protagonist deri më tani me blutë dhe në shumë ndeshje ka munguar për arsye dëmtimi, ndërkohë që edhe Daja nuk e ka pasur zgjedhje të parë, gjë e cila ka çuar në rënien e vlerës. Natyrisht edhe mosha ndikon në vlerën e sulmuesit nga Kosova. Rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe mesfushori Fjoart Jonuzi, i cili tashmë është larguar nga Dinamo dhe do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin e Kosovës, pasi ka firmosur me Drenicën. Mesfushori kuksian e kishte vlerën më parë 200 mijë euro, ndërkohë që së fundmi është vlerësuar me 100 mijë euro.

LOJTARËT MË TË SHTRENJTË- Dejvi Bregu është lojtari më i shtrenjtë i Dinamos, me kartonin e tij që kap vlerën e 450 mijë eurove. Në vendin e dytë, ka zbritur Berisha që tashmë kushton 400 mijë euro, ndërkohë që Naser Aliji është ngjitur në vendin e tretë më vlerën që arrin në 350 mijë. Aq sa Aliji, kushton edhe kartoni i Hekuran Berishës, që ka humbur 50 mijë euro në treg, teksa vendin e pestë në këtë klasifikim, e zë Lorenco Vila, me kartonin që ka shkuar në 300 mijë euro.

VLERA SIPAS POZICIONEVE- Reparti që kushton më shumë në klubin e Dinamos, natyrisht që është sulmi, duke pasur kështu edhe lojtarët më të shtrenjtë nga ai repart. 2.23 milionë euro kushton sulmi i Dinamos, ose mesatarisht 278 mijë euro për futbollist, me një mesatare moshe prej 26.6 vjeç. Mbrojtja është reparti i dytë më i shtrenjtë, me 1,72 milionë euro ndërkohë që në vendin e tretë, renditet mesfusha, vlera e së cilës arrin në 1.35 milionë euro. Porta e Dinamos, kushton 400 mijë euro, me 4 portierë në dispozicion.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL