Dinamo mbyll një fazë rekord, përsëritja e afron me… titullin
Dinamo ka arritur të fitojë derbin ndaj Partizanit në javën e fundit të fazës së parë dhe tashmë e shhe veten në kuotën e 17 pikëve pas 9 ndeshjeve të para. Nëse sezonin e shkuar ishte e rëndësishme të kualifikoheshe në “Final 4”, këtë sezon çdo pikë ka rëndësi të madhe duke qenë se ka ndryshuar formati i finaleve.

Në fund të kampionatit të rregullt, skuadrat e 4 vendeve të para, do të vijojnë një minikampionat mes tyre, ku secilës do t’i përgjysmohen pikët dhe do të vazhdojnë garën për titull. Kështu, Dinamo e ka mbyllur fazën e parë me 17 pikë dhe nëse edhe në fazat e tjera, do të arrijë të marrë të njëjtën shumë pikësh, atëherë titulli kampion do të ishte shumë pranë. Në katër faza që do të luhen nga kampionati i rregullt, Dinamo do të kishte në fund të sezonit plot 68 pikë.
Sezonin e fundit, Egnatia që e mbylli në vend të parë e më pas u shpall kampion, kishte 59 pikë, 9 më pak se mundësitë që ka Dinamo për të grumbulluar këtë sezon. Kështu, nëse vendi i dytë do të ketë këtë sezon aq sa vendi i parë vjet dhe Dinamo përsërit veten në 3 fazat e tjera, atëherë diferenca mes ekipeve në “Final 4”, do të ishte e konsiderueshme. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të kishte 5 pikë më shumë se skuadrat tjera, teksa do të luante edhe 3 ndeshje të tjera. Megjithatë, këtë sezon po bëjnë një ecuri fantastike edhe Vllaznia, Elbasani e Egnatia dhe lufta do të jetë e hapur deri në ndeshjen e fundit.
PANORAMASPORT.AL













