Dinamo e ka humbur për Europën, e pret mbrojtësin si “blerje” për sezonin e ardhshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2026 | 0:12

Dinamo e ka humbur për Europën, e pret mbrojtësin si “blerje” për sezonin e ardhshëm

Dinamo pritet të jetë aktive në merkato për të forcuar skuadrën, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të luftojë deri në fund për titullin kampion. Sakaq, veç afrimeve të reja që mund të jenë, një afrim i rëndësishëm do të jetë edhe ai i Bekim Maliqit.

maliqi

Mbrojtësi i djathtë këputi ligamentin në ndeshjen me Besën e Kavajës në Kupën e Shqipërisë, duke humbur kështu më shumë se gjysmën e sezonit me blutë. Megjithatë, mbrojtësi është drejt rikthimit dhe prej disa javësh ka nisur rikuperimin në palestër, seanca rikuperuese të cilat po i ndjek në Kosovë.

Me rikthimin e Dinamos në fushë për fazën përgatitore, pritet që të rikthehet edhe Maliqi dhe të jetë pranë skuadrës, ku do të ndiqet nga afër si nga stafi mjekësor, ashtu edhe nga stafi teknik. Gjasat që Maliqi të jetë gati për Europën, janë të pakta dhe thuajse nuk ekzistojnë, por synohet që mbrojtësi të jetë gati për fillimin e kampionatit, pasi për Dajën do të ishte një armë e shtuar.

Sezonin e fundit, Maliqi ishte ndër lojtarët më të aktivizuar në skuadër deri në momentin kur u dëmtua, dhe natyrisht një nga protagonistët me blutë.

PANORAMASPORT.AL