Dilemat e Martinit dhe Milinkoviçit, si pritet të luajnë Vllaznia e Partizani në “Loro Boriçi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2025 | 11:33

Dilemat e Martinit dhe Milinkoviçit, si pritet të luajnë Vllaznia e Partizani në “Loro Boriçi”

VLLAZNIA-PARTIZANI

Trajneri Martini i trazuar në mendime, dilema nga porta në sulm

Ndeshja e radhës e Vllaznisë në kampionat do të jetë këtë të shtunë përballë Partizanit në orën 19:00. Duel që do të luhet në “Loro Boriçi” dhe ku shkodranët do të kërkojnë reagimin pas humbjes së raundit paraardhës në shifrat 3-1 ndaj Dinamos. Por, ky duel ndaj “demave” e gjen trajnerin Martini mes mungesash dhe dilemash se si do të rreshtohen kuqeblutë në fushën e lojës. Kështu e sigurt është mungesa e Aron Jukajt, portierit të skuadrës, i cili së fundmi ka pësuar një dëmtim që mendohet ta lërë jashtë fushave të lojës për rreth një muaj. Vendin e shkodranit pritet ta marrë gjermani, Leon Pohls. I cili do të luajë për herë të parë një ndeshje zyrtare me fanellën e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Në mbrojtje për Martinin pritet të ketë pak dyshime, me Gurishten, Gjinin dhe Kuros që pritet të formojnë treshen e prapavijës. Teksa një opsion për ta nisur si titullar është edhe Bajrami, por momentalisht kosovari duket në disavantazh me kolegët e tij të skuadrës. Dilemat e Martinit duket se nisin në mesfushë dhe sulm, kjo pasi tekniku shkodran gjatë seancave stërvitore të kësaj jave ka provuar futbollistë të ndryshëm. Duke mos e ndarë ende formacionin startues që duket se do të marrë formë vetëm pak orë para nisjes së sfidës. Kështu nëse nga krahu i djathtë i sigurt duke Mala e ndërsa majtas është Jago, në mesfushë ka balotazh mes emrave si Qato-Dros dhe Kallaku-Murataj për një fanellë titullari. Ku i “sigurt” momentalisht duket vetëm Krymi. Po ashtu në sulm, 50-vjeçarit i duhet të vendosë mes Kastratit dhe Bismark se cili prej tyre do të jetë partneri i Balajt në sulm. Disa dilema për Vllazninë para kësaj sfide, me trajnerin Martini që duhet të bëjë zgjedhjet e duhura për të dërguar skuadrën drejt suksesit në duelin ndaj Partizanit.

Screenshot 2025-09-13 113047

Partizani ndodhet përballë një testi të vërtetë në “Loro Boriçi”. Prej tre vitesh nuk ka fitore në Shkodër dhe sfida me Vllazninë, që luhet sot në orën 19:00 për javën e tretë të Superiores, shihet si më e vështira e kësaj periudhe. Milinkoviç duhet të përshtatet me mungesa dhe rikthime, duke bërë ndryshime në formacion. Mbrojtësi Saliu Sembene është jashtë pas dëmtimit ndaj Teutës dhe do të mungojë për disa kohë. Ndërkohë, grupit i janë bashkuar lojtarët që ishin me ekipet kombëtare të moshave. Emri më i ri për stafin është sulmuesi Rrok Toma. Në mbrojtje dilemat janë të shumta. Preka dhe Atanaskoski pritet të nisin nga minuta e parë, ndërsa Bytyçi dhe Janjeva janë kandidatë për krahun e djathtë, pavarësisht se roli i tyre natyral është qendra. Vetëm një prej tyre do e ketë atë mundësi. Para mbrojtjes, Mehmeti dhe Ismaili kanë dhënë garanci në dy ndeshjet e para dhe shihen si titullarë. Në repartin ofensiv, askush nuk e ka vendin e sigurt. Partizani nuk ka ende gol të shënuar nga ndonjë lojtar të tij dhe kjo e bën zgjedhjen e formacionit më të hapur. Garsia mund të rikthehet titullar, por gjithçka varet nga balotazhi mes tij, Qokthit dhe Gudjufit. Isgandarli ende nuk ka treguar veten, por mbetet një nga afrimet më të besuara të verës. Skuka ka shanset e tij, që të nisë titullar në Shkodër. Për cilësitë nuk ka dyshim, por secili duhet të bindë me gola. Ndërkohë, Bintsuka nuk është ende në formën maksimale për të qenë zgjedhje nga minuta e parë.

Screenshot 2025-09-13 113124

PANORAMASPORT.AL