Dibra: Vllaznia nuk ka ku të stërvitet
Kampionët e edicionit të kaluar në basketboll për meshkuj, Vllaznia, nuk arrin dot të gjejë një terren për t’u stërvitur. Presidenti i klubit kuqeblu, Sokol Dibra, në një prononcim për “Panorama Sport” ka prekur disa nga temat më të rëndësishme në prag të sezonit të ri, duke u ndalur më së shumti te problemi kryesor që ka skuadra: mungesën e palestrës ku të ushtrohet. “Siç dihet, pallati i sportit ‘Qazim Dervishi’ është në rikonstruksion dhe ende nuk kanë përfunduar punimet, që priten të mbarojnë në muajin shtator. Në këtë pikë skuadra nuk ka një terren ku të përgatitet për sezonin e ri. Opsioni më i mirë do të ishte shfrytëzimi i palestrës së universitetit ‘Luigj Gurakuqi’, por edhe pse jemi në verë dhe nuk ka studentë, nuk na jepet leja për të shfrytëzuar palestrën”. Më pas Dibra ka vijuar: “Është vërtet për të ardhur keq që nuk gjejmë dot mbështetjen e universitetit për të kryer përgatitjet tona. Siç dihet, Vllaznia do të përfaqësojë Shqipërinë në Ligën Ballkanike, që starton në muajin tetor. Por koha që kemi në dispozicion për t’u përgatitur është shumë e vogël. Kujtojmë se pallati i sportit kthehet në dispozicionin tonë vetëm një muaj para fillimit të Ligës Ballkanike dhe nuk kemi kohë për t’u përgatitur siç duhet. Kjo frenon dhe strategjitë tonë në merkato, pasi po ndjekim tre lojtarë shumë të rëndësishëm që luajnë jashtë kampionatit shqiptar, por nuk kemi ku t’i provojnë duke qenë se s’kemi një terren”. Në fund, Dibra ka shtuar: “Momentalisht stërvitemi në terrene aspak komode, si stadiumi ose ndonjë fushë e shfrytëzueshme. Por ekipi ka nevojë për një palestër bashkëkohore dhe funksionale. E vetmja palestër e përshtatshme është ajo e universitet, por që për fat të keq është kthyer në një ‘mollë të ndaluar'”.
Senad Nikshiqi













