Dhjetë gola në 5 ndeshje, Vllaznia është sulmi më i mirë i Superiores
Fitorja me Vorën në shifrat 2-0 ditën e diel për Vllazninë, ktheu shkodranët te sukseset dhe pikët e plota. Por, konfirmoi edhe njëherë tjetër faktin se ekipi i drejtuar nga Martini ka sulmin më të mirë të kampionatit.
Kështu me dy golat ndaj vorakëve, kuqeblutë janë ngjitur në kuotën e 10 rrjetave në total deri më tani në kampionat. Ku pas 5 raundeve të para të edicionit, asnjë skuadër tjetër nuk ka shënuar më shumë se 9 herë kampionët e vendit tonë. Me një mesatare prej 2 golash për ndeshje deri më tani, Vllaznia ka “vendosur” të argëtojë në fushën e lojës këtë edicion. Kjo edhe falë cilësive të futbollistëve që ka në përbërje dhe organikës që i lejon Martinit të aplikojë një futboll shumë ofensiv.
E ku pavarësisht se ndaj Vorës mungoi edhe një futbollist si Bismark, diçka e tillë nuk u dallua thuajse aspak në fushën e lojës. Ku Vllaznia sërish arriti të krijojë shumë raste dhe situata në zonë kundërshtare. Madje gjeti edhe golin e tij të parë në karrierë me Vllazninë edhe Edon Murataj. Me 23-vjeçarin që u bë lojtari i 7-të te Vllaznia që gjen golin deri më tani në kampionat. Ku pas emrave si Balaj, Bismark, Gurishta, Bajrami, Mala, dhe Hakaj tashmë radha ishte për ishfutbollistin e Lafnitz.
Duke treguar se tek Vllaznia mund të shënojnë të gjithë, pa qenë nevoja që në fushë të jenë medoemos vetëm futbollistët e sulmit. Kështu pika e fortë e shkodranëve vijon të konfirmohet goli dhe sulmi. Të cilët në javën e ardhshme në kampionat do të kenë një provë shumë më të fortë. Ku përballë sulmit më të mirë në kampionat deri më tani, do jetë mbrojtja më e mirë e edicionit deri në këto çaste. Me Elbasanin ai ka pësuar vetëm 1 gol gjatë 5 raundeve, i cili do të vizitojë Shkodrën ditën e shtunë, në kuadër të javës së 6-të të Superiores për edicionin 2025-2026.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













