Derbi i mbijetesës, futbolli i Myzeqesë i mbuluar nga “vrugu”. Apolonia dhe Lushnja përballen sot në Fier
Myzeqeja është konsideruar gjithnjë si hambari i Shqipërisë, por kjo shprehje nuk i shkon për shtat futbollit, pasi prej vitesh, e sidomos këtë sezon, këtë “tokë” e ka kapur vrugu.
Apolonia-Lushnja, nga një duel historik që dikur mbushte stadiumet dhe kishte në përbërje lojtarë të spikatur, sot është kthyer në një përballje mbijetese në Kategorinë e Parë. Elita është harruar prej kohësh, tetë vite për Lushnjën dhe pesë për Apoloninë. Përballja e sotme ka vlera të shumëfishta për të dy ekipet, por mbi të gjitha për Lushnjën, që luan në transfertë dhe është shumë pranë rënies në Kategorinë e Dytë, që do të ishte një turp i madh për verdhejeshilët.
Edhe Apolonia, ndonëse ndodhet në vendin e nëntë dhe katër pikë larg zonës së rënies direkte ku janë Kukësi dhe Lushnja, mbetet në rrezik. Ndaj, derbi i sotëm që do të luhet në orën 15:00 në stadiumin “Loni Papuçiu” merr përmasa jetike për të dy kampet. Nuk është më koha për lojëra të bukura, por për pikë mbijetese. Apolonia vjen në këtë sfidë pas një pike shprese në Gjirokastër, ndërsa Lushnja pas një humbjeje dramatike në mesjavë në Kukës.
Në të dy kampet, zëri i tifozëve, i mbushur me ankesa dhe akuza ndaj drejtuesve, ka rënë në vesh të shurdhër. Si pasojë, dy klubet me traditë të Myzeqesë duket se po shkojnë drejt një vetëshkatërrimi, që do të ishte edhe më i rëndë për Lushnjën, duke pasur parasysh se bashkia akordon çdo vit një buxhet mbi 400 milionë lekësh. Ky derbi nuk mund t’i kënaqë të dyja skuadrat. Fitorja është jetike, ndërsa barazimi thuajse nuk i shërben askujt për objektivin mbijetesë. Ky do të jetë derbi i katërt sezonal mes dy ekipeve.
Ata janë përballur dy herë në kampionat dhe një herë në Kupë, ku Apolonia fitoi 3- 2 duke eliminuar lushnjarët. Në fazën e parë, fierakët fituan 1-0 në “Roza Haxhiu”, ndërsa ndeshja e fazës së dytë në Fier u mbyll në barazim 0-0.
PANORAMASPORT.AL













