Debutimi në Superiore ishte sukses, kapiteni Barjamaj: Thyem aleancat kundër Vorës, synojmë të bëhemi ‘Egnatia e dytë’”
Vora e mbylli me sukses sezonin e saj debutues në Kategorinë Superiore. Përveç sigurimit të mbijetesës, klubi vorak arriti të përfitojë edhe financiarisht nga shitja e disa lojtarëve. Tashmë është zyrtarizuar transferimi i golashënuesit Irgi Kasalla te Kolosi i Ukrainës, ndërsa në të njëjtin kampionat pritet të transferohet edhe mbrojtësi Serjan Repaj.

Paralelisht me largimet, drejtuesit e klubit, në bashkëpunim me stafin teknik dhe menaxherët, po punojnë për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Objektivi është që grupi të marrë formën përfundimtare para 20 qershorit, datë kur pritet të nisin përgatitjet verore. Programi parashikon edhe një fazë grumbullimi 20-ditore në Greqi gjatë muajit korrik.
BARJAMAJ, NJË NGA SHTYLLAT E VORËS – Lëvizja më e fundit e klubit ishte rinovimi i kontratës me mesfushorin Mario Barjamaj. Futbollisti zhvilloi një sezon pozitiv, duke luajtur 31 ndeshje, ndërsa në 17 prej tyre mbajti edhe shiritin e kapitenit. Kontributi i tij ishte i rëndësishëm në arritjen e objektivit madhor, mbijetesës në elitë. Rinovimi i Barjamajt konsiderohet nga klubi si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e bërthamës së ekipit, ndërsa pritshmëritë për sezonin e ardhshëm mbeten të larta. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori u ndal te sezoni i sapo-përfunduar dhe vështirësitë që hasi skuadra.
“Ishte një nga kampionatet më të vështira për ne si skuadër debutuese, sidomos në krahasim me sezonin kur luftonim për ngjitjen në Superiore. Kjo sepse disa skuadra rivale në garën për mbijetesë krijuan aleanca kundër nesh. Kjo u pa qartë sidomos në javët e fundit të kampionatit, kur presioni ndaj Vorës u shtua ndjeshëm. Megjithatë, falë pjekurisë së grupit dhe eksperiencës së disa lojtarëve që kishin luajtur më parë në Superiore, arritëm t’i thyejmë këto aleanca dhe ta kishim fatin në këmbët tona. E realizuam objektivin dhe dua të falënderoj të gjithë djemtë e skuadrës për sezonin fantastik që zhvilluam. Kemi surprizuar skuadra me histori dhe emër në futbollin shqiptar. Për një klub kaq të ri, kjo është arritja më e madhe deri tani dhe besoj se Vora do të vazhdojë të shkruajë histori në elitën e futbollit shqiptar”, u shpreh Barjamaj.
“PROJEKTI ËSHTË AFATGJATË” – Mesfushori, i cili iu bashkua Vorës që në Kategorinë e Parë duke lënë Laçin për t’iu besuar projektit të klubit, foli edhe për ambiciet e sezonit të ardhshëm. “Që nga momenti kur nisi të synonte majat e futbollit shqiptar, Vora ndërtoi një projekt afatgjatë. Tani ky projekt po merr formë. Pas sigurimit të mbijetesës, klubi po punon për të krijuar një skuadër sa më të qëndrueshme dhe për të fituar eksperiencën e nevojshme në elitë. Objektivi është që në vitet e ardhshme Vora të shndërrohet në një model të ngjashëm me Egnatian, duke pretenduar trofe dhe pjesëmarrje në Europë. Natyrisht, fillimisht duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, të konsolidohemi në Superiore dhe më pas të synojmë objektiva edhe më të mëdhenj”, përfundoi Barjamaj.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













