Debutimi i Vllaznisë në kampionat, vjet u nis me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2025 | 18:27

Debutimi i Vllaznisë në kampionat, vjet u nis me fitore

Vllaznia do të debutojë në edicionin 2025-26 të Superiores kundër Egnatias, me sfidën që do luhet këtë të premte në “Loro Boriçi” dhe ngre siparin e këtij edicioni të elitës së futbollit tonë.vllazniaNjë duel që mbart shumë emocion dhe grintë në të dy kampet, që kanë rivalizuar për titullin në sezonet e fundit. Prandaj edhe rivaliteti është shtuar shumë në këto vite mes dy skuadrave, por te Vllaznia kërkojnë ta nisin sa më pozitivisht para tifozerisë së tyre. E po ashtu të ruajnë traditën shumë pozitive të viteve të fundit në debutimet e kampionatit. Kështu në 5 edicionet e fundit të Superiores, shkodranët e kanë nisur 4 herë me fitore javën e parë dhe një herë me humbje.

Duke nisur nga sezoni 2020-21, ku në debutimin e atij edicioni kuqeblutë triumfonin 2-0 ndaj Apolonisë me golat e Dilaver dhe Dungas. Po ashtu në edicionin 2021-22, shkodranët e nisnin sezonin me një fitore spektakolare ndaj Laçit me shifrat 3-5. Ku vendimtarë ishin golat e Latifit, Da Silvas, Aralicës, Gurishtës dhe Kainas.

I vetmi ekip që i ka shkaktuar humbje Vllaznisë në javën e parë në sezonet e fundit është Erzeni në edicionin 2022-23. Me shijakasit që fitonin në shtëpi përballë Vllaznisë me rezultatin 1-0, falë një goli të Alan. Por, tradita pozitive për Vllazninë në debutim do rikthehej në sezonin 2023- 24, me kuqeblutë që në hapje të sezonit fitonin 3-1 ndaj Kukësit në shtëpi falë rrjetave të Stojanoviç, Balajt dhe Boshnjakut, teksa më parë për kuksianët kishte shënuar edhe La Torre.

Po ashtu në edicionin e shkuar 2024-25, Vllaznia e niste me fitore edicionin, ku me një gol të Alivodës mposhtë Partizanin në transfertë me rezultatin 0-1. Një traditë shumë pozitive kjo e viteve të fundit për 9 herë kampionët e vendit, të cilët do kërkojnë që këto statistikat t’i pasurojnë edhe të premten në duelin që do kenë kundër Egnatias në Shkodër.

PANORAMASPORT.AL