Debutimi i “Partizanit të ri”, Veselinoviç fikson formacionin e të kuqve
Partizani vijon normalisht përgatitjet për ndeshjen e së shtunës në 17:00 kundër Skënderbeut në “Arenën e Demave”. Trajneri Veselinoviç ka nisur edhe përgatitjen e planit sa i përket lojës dhe formacionit. Ai ka të gatshëm të gjithë lojtarët, përveç Kotes dhe Sodiq.

Korçari po vijon rikuperimin nga një dëmtim, ndërsa nigeriani vijon të mos figurojë në stërvitje, pavarësisht se flitet se ka firmosur kontratë me të kuqtë. Pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm për të luajtur nga minuta e parë. Sa i përket formacionit, Veselinoviç pritet që ta nisë me 11-shen që startoi edhe miqësoren kundër Kastriotit.
Qirko është “betonuar” në portë, teksa në mbrojtje priten zgjedhje që lënë shije nga pas. Bytyçi tashmë është mënjanuar nga 11- shja dhe nuk konsiderohet opsion as në krah e as në qendër të mbrojtjes. Nga minuta e parë në të djathtë pritet i riu Janjeva, teksa në qendër pritet të ulet në stol Sembene, një nga më të spikaturit në gjysmën e parë të sezonit.
Nga minuta e parë shihen si favoritë Preka dhe Domgjoni, që ka fituar terren me mjaft shpejtësi për 11-shen. Buxhelaj është planifikuar titullar nga e majta. Në mesfushë nuk ka shumë vend për lëvizje me treshen Taipi, Mehmeti dhe Ismaili, që priten titullarë. Në sulm pritet të gradohet direkt titullar Podstrelov, i shoqëruar nga Mba dhe Bintsuka. Zeka duket se ka humbur terren për 11-shen.
PANORAMASPORT.AL













