Debutimi i Milinkoviç në Superiore, sa shumë dilema te Partizani kundër Vorës
Si do të rreshtohet Partizani nën urdhrat e Mladen Milinkoviç? Nëse skema e tij e preferuar 4-2-3-1 është e pritshme, asgjë nuk mund të thuhet me siguri për titullarët.
Me përjashtim të portës dhe mbrojtjes, mbetet për t’u parë kush do besohet nga minuta e parë në repartet e tjera. Qirko prej dy sezonesh ka blinduar vendin e tij në katërkëndëshin që mbron. Mbrojtja ndërkohë ofron siguri me Prekën dhe Sembenen në qendër.
Në krah me shumë gjasa Atanaskoski do të fitojë balotazhin me Buxhelajn. Martinez është afrimi i verës, i përshtatur mjaft mirë deri tani me repartin e mbrojtjes. Pas tyre, nëse nuk do të rrezikohet me futbollistë që janë rikthyer nga shqetësimet si Malaj, do të startojnë Mehmeti dhe Ismaili. Ky i fundit nuk luajti në Europë për shkak dëmtimi. Sipas situatës aktuale, reparti ofensiv do të përbëhej i gjithi me lojtarë të huaj, që madje janë afruar vetëm këtë verë në ekipin e parë.
Bëhet fjalë për Garsian, Hjumen dhe Isgandarlin që do të mbështesnin Kontreras në majën e sulmit. Sulmuesi nga Kolumbia është pjesë e ekipit B dhe mund t’i jepet mundësia e tij. Skuka dhe Bintsuka janë bashkuar së fundmi me pjesën tjetër të skuadrës, ndaj edhe nuk është e sigurt nëse do t’u besohet fanella e titullarit. Dilemat e Milinkoviç padyshim që janë të shumta dhe me siguri që 11-shja titullare e së dielës do pësojë ndryshime në vazhdim.
PANORAMASPORT.AL













