Dajan Shehi dhe sfida si “ish”: Vora është shtëpia ime e dytë, e nisim mbarë me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2025 | 18:11

Dajan Shehi dhe sfida si “ish”: Vora është shtëpia ime e dytë, e nisim mbarë me Partizanin

Vora gati për sfidën historike. Vora është gati të shkruajë faqen më të rëndësishme në historinë e saj 36-vjeçare, duke debutuar në elitën e futbollit shqiptar.

dajan shehi

Ky sezon do të jetë një provë e madhe për trajnerin Arian Bellai, i cili pas eksperiencave me ekipet kombëtare të moshave, tashmë ka në dorë drejtimin e një skuadre që kërkon të mbijetojë mes më të mirëve. Rinovimi i thellë i ekipit me lojtarë vendas dhe të huaj ka sjellë një frymë të re, duke e rritur forcën dhe alternativat për një kampionat krejtësisht të panjohur për këtë klub periferik të kryeqytetit. Sfida e parë do të zhvillohet të dielën më 24 gusht në “Arenën e Demave”, ku Vora do të përballet me Partizanin, një kundërshtar me histori dhe traditë të madhe.

Qendërmbrojtësi 27-vjeçar nga Elbasani, Dejan Shehi, që po nis sezonin e tij të dytë me Vorën, dha një prononcim për “Panorama Sport” për pragndeshjen e së dielës: “Vora është bërë tashmë shtëpia ime e dytë. Falënderoj stafin dhe drejtuesit e klubit që më kanë dhënë besimin për të qenë pjesë e këtij projekti. Pas kësaj faze përgatitore, jam i bindur se do ta përballojmë me sukses sezonin dhe do të arrijmë objektivin tonë kryesor, qëndrueshmërinë në Superiore”, u shpreh mbrojtësi.

Duke folur për kundërshtarin e parë, ai shtoi: “E dimë se Partizani është një skuadër e fortë dhe me histori të lavdishme. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij klubi legjendar tre vite më parë, por tani jam i përqendruar tërësisht te Vora. Kemi besim te trajneri Bellai dhe te grupi ynë. Në këtë ndeshje të parë historike do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. E rëndësishme është të fitojmë pikë dhe të nisemi me këmbë të mbarë. Premtoj se do të jap gjithçka në fushë dhe shpresoj që të kemi përkrahjen e jashtëzakonshme të tifozërisë vorake.”

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL