Çudia me Ante Rebiç te Hajduku! Mund të luajë kundër Dinamos në Europë, por nuk lejohet në kampionatin kroat
Ante Rebiç është prezantuar sot te Hajduku i Splitit si përforcimi më i ri i skuadrës e cila do të ndeshet në turin e tretë të Ligës së Konferencës me Dinamon. Një telash më shumë për skuadrën e Ilir Dajës që përballet me një ekip shumë të fortë si ai kroat që në këtë pikë të turneut, me lojtarë të kalibrit të Rebiç.

Por ajo që e bën interesant afrimin e Rebiç, sulmues i njohur me eksperiencë për shumë vite në Serinë A, është fakti se nuk mund të aktivizohet në dy javët e para në kampionatin kroat, por mund ta bëjë një gjë të tillë lehtësisht përballë Dinamos në Europë. Shkak është bërë një dënim që ai ka marrë në Itali në sezonin e kaluar ku ishte pjesë e Leçes, i dhënë në huazim nga Milani.
Rebiç u dënua në javën e fundit të kampionatit ndaj Lacios, kur mori karton të kuq edhe pse ishte në stol. Ai protestoi ashpër ndaj vendimeve të kryesorit Fabri dhe si rrjedhojë u ndëshkua me karton të kuq edhe pse nuk ishte në fushë. Një vendim që ka sjellë më pas dënimin e tij nga komisionet disiplinore me dy ndeshje pezullim si dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh.
Këtë pezullim ai është i detyruar ta mbartë në kampionatin kroat të futbollit, kështu që do të mungojë në ndeshjet e dy javëve të para të tij. Por kjo nuk pengon Rebiç që të luajë rregullisht në Europë, ku pritet të bëjë debutimin pikërisht ndaj Dinamos. Si për ironi të fatit, e njëjta situatë është edhe me kapitenin Marko Livaja, i cili ka një pezullim të mbartur nga kampionati i kaluar dhe nuk luan dot në dy javët e para të këtij sezoni në Kroaci.
PANORAMASPORT.AL













