Çfarë ndryshoi për ndëshkimin ekstrem të Egnatias? Ja si Disiplina dënoi Tiranën dhe Vorën për tërheqjet nga fusha gjatë këtij sezoni
Komisioni i Disiplinës ka vendosur që në këtë sezon të mbajë një qëndrim ekstrem ndaj Egnatias në krahasim me klube të tjera të Superiores me vendimet që ka ndërmarrë ndaj rrogozhinasve. Përdorimi i dy standardeve filloi që me pezullimin e trajnerit Edlir Tetova pasi ky i fundit kritikoi publikisht gjyqtarët, gjë që nuk kishte ndodhur më trajnerë të tjerë që nuk ishin kursyer kundër tyre para tij.

Por vendimet e sotme të Disiplinës kanë qenë të një niveli krejtësisht tjetër, pasi rrogozhinasit janë ndëshkuar për protestën e tyre gjatë ndeshjes kundër Vllaznisë, pasi Arbenti Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq. Spektator në tribunë ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili pa se si mes skuadrave në fushë pat përplasje, ndërsa rrogozhinasit u larguan nga fusha për rreth 7 minuta.
Ndoshta prania e Dukës ka bërë që të ndryshojë qëndrimi i Disiplinës i cili ka pezulluar trajnerin Tetova për 6 muaj, si dhe praktikisht të gjithë stafin e rrogozhinasve që ishte në pankinë në ato momente.
Një qëndrim ekstrem po të kesh parasysh se gjatë këtij sezoni kishte raste të ngjashme të tërheqjes nga fusha të ekipeve. Tirana e nisi protestën në ndeshjen ndaj Teutës në dhjetor, duke dalë me vonesë në pjesën e dytë të takimit. Në këtë rast, gjoba ishte 50 mijë lekë.
Tirana e përsëriti në ndeshjen ndaj Elbasanit kur u tërhoq për disa minuta pasi kundër bardhebluve u akordua penallti. Disiplina asokohe e ndëshkoi me një gjobë 500 mijë lekë klubin bardheblu.
Më pas situata u përsërit në ndeshjen mes Vorës dhe Teutës, pas një penalltie të akorduar për ekipin durrsak, me ekipin vorak që u tërhoq nga fusha për disa minuta. Në rastin e tyre, gjoba ishte 100 mijë lekë. Edhe dënimi më i rëndë individual për raste të tilla ishte 4 javë, për zyrtarin Eranjo Isai të Tiranës dhe Bazjon Tragaj të Vorës.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













