Bylisi synon fitoren e parë, Abazaj optimist: Do ta thyejmë Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2025 | 14:27

Bylisi synon fitoren e parë, Abazaj optimist: Do ta thyejmë Egnatian

Bylisi luan sot ndeshjen e tretë të kampionatit, të tretën radhazi në shtëpi, dhe mallakastriotët janë të karikuar për të mposhtur kampionët në fuqi të Superiores, Egnatian. Atmosfera në Ballsh është optimiste, ndërsa të gjithë janë të përgatitur për të marrë tri pikët e para pas 180 minutave pa fitore. Skuadra është përgatitur jo vetëm në aspektin fizik, por edhe moralisht e psikologjikisht për ta thyer kundërshtarin e radhës.

Abazaj

Kapiteni Marin Abazaj ka folur në prag të kësaj sfide për “Panorama Sport” dhe është shprehur se periudha e pauzës i ka shërbyer shumë ekipit për t’u konsoliduar edhe më tepër. “Vijmë nga një ndërprerje e detyruar e garës, por mendoj se na ka bërë mirë për ta rifilluar kampionatin aty ku e lamë dhe me synimin e qartë: fitoren e ndeshjes së radhës. Ne luajmë një sfidë mjaft të fortë, por si Egnatia janë edhe 8 ekipet e tjera, sepse e tillë është kjo formulë.

Megjithatë, presidenca dhe klubi kanë bërë disa lëvizje me qëllim përforcimin e skuadrës. Bylisi është shumë më i fortë se një vit më parë. E them jo vetëm për harmoninë e grupit, por edhe për afrimet që janë bërë, duke na shtuar cilësinë në çdo repart. Në dy sfidat e para kemi marrë vetëm dy pikë nga gjashtë të mundshme, por nuk duhet harruar që kemi luajtur me Tiranën dhe Flamurtarin. Tani besoj se kjo do të jetë e treta e vërteta, aq më tepër që luajmë sërish në fushën tonë. Na duhen tri pikët e shtëpisë. Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe si kapiten i ekipit jam i bindur se me përbërjen që kemi dhe me cilësinë e elementëve, do të kërkojmë të jemi jo thjesht skuadër që lufton për mbijetesë”, – përfundoi Abazaj.

JOSA KËRKON TRI PIKËT – Trajneri Mirel Josa ka ideuar formacionin titullar që do të zbresë sot në fushë ndaj Egnatias, në sfidën që luhet në “Adush Muça”. Pas dy barazimeve, tekniku nga kryeqyteti synon tri pikët e para në krye të mallakastriotëve. Josa ka përzgjedhur lojtarët më të mirë në dispozicion, duke bërë edhe disa lëvizje skemash. Ideja e tij është që Bylisi t’u përgjigjet “dhëmb për dhëmb” kampionëve nga Rrogozhina, në mënyrë që të sigurojë fitoren në shtëpi. Pritet gjithashtu që sot të ketë edhe debutime nga afrimet e fundit, sidomos në repartin ofensiv, ku spikasin emrat e Uankeuai, Rabiu apo Gjuzi.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL