Bylisi nis 9 finalet e mbijetesës, Marku: Të fitojmë me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2026 | 10:42

Bylisi nis 9 finalet e mbijetesës, Marku: Të fitojmë me bardheblutë

Nga sot nisin nëntë finalet e Bylisit për mbijetesën në Superiore dhe faza e katërt nis në transfertën me Tiranën. Bylisi e nis sot fazën e katërt në një duel “kokë më kokë”, për mbijetesën.

marku

Ballshiotët me probleme mungesash nga dëmtimet dhe disa lojtarë janë në dyshim, kanë afruar se fundmi edhe Muriç, por që nuk do ta nisë si titullarë sot ndaj Tiranës. Josa bashkë me stafin e tij pritet që të bëjnë lëvizje të detyruara në 11-she, por nga sa është parë deri në seancën e djeshme, ballshiotët lanë dilema në të tria repartet.

Megjithatë, ndaj bardhebluve e sigurt është që do të zbresë në fushë me lojtarët më në formë. Ballshiotët do të shkojnë në kryeqytet që të luajnë futboll, të shfaqen solidë dhe pse jo të marrin edhe rezultat pozitiv, në një transfertë delikate. Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga lojtarët më në formë të Bylisit këtë sezon është edhe kapiteni 21-vjeçar, Aurel Marku, që ka pohuar në prag të sfidës me Tiranën në transfertë, se ekipi do të luftojë.

“Fitorja ndaj Vorës në “Adush Muçaj” dhe pika në Elbasan, apo suksesi me Vllazninë, por sidomos loja e mirë që ne bëmë në tri takimet e fundit, na ka rikthyer optimizmin, por ka treguar se jemi skuadër me dëshirë dhe cilësi, pa thënë se kemi kualitet. Nuk kemi frikë asnjë ekip, sidomos me grupin që kemi, por edhe afrimet e realizuar që kanë kualitet dhe cilësi, por respekt dhe vlerësim për çdo kundërshtar njësoj. Jemi të fokusuar te Tirana, të cilën duhet që ta fitojmë si ndeshje sepse është shumë e rëndësishme ecuria në këtë fazë për ne si klub, por edhe objektivin që ne kemi për mbijetesën. Në gjykimin tim, janë skuadër e fortë dhe solide, që nuk pësojnë gol kollaj dhe kanë një kundërsulm të shpejtë, por edhe elementë cilësorë në saj të merkatos që kanë realizuar. Por, ne e kemi nisur kthesën dhe për të hedhur hap të sigurt drejt mbijetesës në elitë, duhet që dhe të shfrytëzojmë formën e mirë që ne po kalojmë në kampionat. Pikët ndaj rivalëve vlejnë dyfish, ndaj edhe duhet që të fitojmë me Tiranën për të vijuar ecurinë pozitive, por edhe sepse konsolidojmë pozitat tona në renditje”,tha Aurel Marku, kapiteni i Bylisit.

JOSA – U ka dhënë fund pasditen e djeshme përgatitjeve anti-Tirana dhe mënjëherë kanë shkuar në grumbullim mallakastriotët në prag të duelit me Tiranën në “Selman Stërmasi”. Trajneri Mirel Josa dhe stafi kanë kërkuar angazhim maksimal dhe përqendrim total te kjo ndeshje. Skuadra mallakastriote, e ka të qartë objektivin dhe do të hyjë në fushë me synimin e vetëm, marrjen e një rezultati pozitiv, pse jo vetëm fitoren në këtë duel, por edhe lojën e bukur që e ka karakteristikë. Një duel jo i lehtë, por duket se Josa dhe stafi kanë vendosur që ta nisin me më të mirët.b

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL