Bylisi në telashe, një klub kërkon tre pikët në tavolinë nga FSHF pas përdorimit jashtë rregullave të lojtarëve të Superiores
Klubi i Bylisit përballet me një situatë të pazakontë, pasi akuzohet se e ka tepruar me aktivizimin e lojtarëve të ekipit të parë, që marrin pjesë rregullisht në Superiore, me skuadrën B që luan në Kategorinë e Dytë.

Klubi i Devollit ka dërguar ankesë në FSHF dhe kërkon tre pikët në tavolinë për ndeshjen e kësaj jave që ka përfunduar në barazim 1-1, duke argumentuar se ballshiotët kanë thyer rregullat e kompeticionit. Sipas këtyre rregulloreve, lojtarët e ekipit të Superiores nuk duhet të luajnë më shumë se 10 ndeshje me ekipin B të një skuadre në sezon dhe ballshiotët e kanë shkelur atë në ndeshjen në fjalë me të paktën dy futbollistë.
Njëkohësisht, ballshiotët nuk kanë respektuar rregullin e pushimit 24 orë mes ndeshjeve, pasi kanë hedhur në fushë në orën 13:00 futbollistë të cilët kishin përdorur një ditë më parë në sfidën ndaj Elbasanit, në orën 16:30. Bëhet fjalë për Ualison, Sanogo, Kane dhe Rabiu.
Tani fjala u kalon organeve juridike të FSHF-së të cilët duhet të shqyrtojnë dokumentacionin dhe të bëjnë të ditur masat disiplinore me të cilat përballet Bylisi.
PANORAMASPORT.AL













