Bylisi “hap” merkaton, katër titullarë drejt shitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2026 | 18:44

Bylisi “hap” merkaton, katër titullarë drejt shitjes

Bylisi ka marrë një tjetër verdikt nga Komiteti Ekzekutiv. Skuadra B, e cila ishte ngjitur në Kategorinë e Parë pasi kishte mposhtur Kukësin, do të zbresë sërish në Kategorinë e Dytë, duke krijuar një situatë të pazakontë, sidomos pasi ekipi i parë i mallakastriotëve ka rënë nga Superiorja. Në fakt, bëhet fjalë për një situatë të paprecedentë, edhe pse në Ballsh për momentin ka mbizotëruar heshtja dhe pasiguria pas rënies së skuadrës A.

bylis

Të gjithë janë ende të zhgënjyer dhe të mërzitur nga ky sezon i vështirë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime strukturore në elitën e futbollit shqiptar, ku Bylisi A mund të përfitojë nga zhvillimet dhe të sigurojë qëndrimin në Superiore. Mallakastriotët kanë nisur pushimet, por pas 31 majit situata pritet të bëhet më e qartë sa i përket merkatos, largimeve, ndonjë shitjeje apo afrimeve të reja, si dhe lënies së lirë të lojtarëve të cilëve u përfundojnë kontratat dhe që nuk janë në planet e klubit.

Si çdo sezon, pritet që Bylisi të jetë aktiv në merkato dhe të shesë disa nga “xhevahirët” e tij. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet pas verdikteve përfundimtare të garës, dhe vetëm atëherë skuadra do të nisë lëvizjet konkrete.

Klubi mallakastriot ka qenë shumë aktiv edhe në merkaton e janarit, me hyrje, dalje dhe shitje të katër lojtarëve titullarë në ekipet e Superiores. Ajo që duhet theksuar është garancia financiare që vjen nga presidenti Besnik Kapllanaj, i cili ka mbështetur klubin në dy dekadat e fundit. Në strukturën e klubit ka shumë elementë premtues nga ekipi B, por edhe nga skuadra U-19, të cilët pritet të bëhen pjesë e organikës së skuadrës A.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL