Bylisi denoncoi dhunën në kampionatin e të rinjve, reagon Laçi: Nuk është nxjerrë asnjë karton i verdhë, aneksi s’kishte dhoma zhveshje
Nëpërmjet një reagimi zyrtar, klubi i Laçit, ka hedhur poshtë pretendimet e Bylisit, për dhunë të ushtruar në duelin mes ekipeve U-19.

Kurbinasit i kanë cilësuar pretendimet e ballshiotëve si të pabazuara në prova dhe fakte. Gjithashtu klubi i Laçit bën me dije se, aneksi ku u zhvillua ndeshja nuk disponon as tunelin dhe as dhomat e zhveshjes.
REAGIMI I PLOTË I LAÇIT:
Duke marrë shkas nga deklarata e fundit në lidhje me ndeshjen Laçi U19 – Bylis U19, klubi ynë përgënjeshtron çdo akt dhune të pretenduar nga ekipi mik si të pabazuar në prova dhe fakte.
Ndeshja është gjykuar nga tre arbitra dhe në praninë e një delegati që kanë pasur nën vëzhgim gjithçka. Si mund të aludohet për tension në një ndeshje ku nuk është nxjerrë asnjë karton i verdhë apo i kuq për ekipin vendas, përkundrazi dy të verdhë janë dhënë për ekipin e Bylisit dhe si mund të pretendohet që është Laçi ekipi që ka shkaktuar diçka të tillë?
Theksojmë se ekipi ynë ka qenë dhe do të jetë një nga ekipet më “Fair Play” të kampionatit ku asnjë skuadër nuk ka patur të tilla pretendime dhe nuk është ndjerë e cënuar në fushën tonë.
Brenda deklaratës përmendet gjithashtu që ngjarja ka ndodhur gjatë kohës që lojtarët po futeshin në tunelin e dhomave të zhveshjes, ndërkohë që Aneksi ku u zhvillua ndeshja nuk disponon as tunelin dhe as dhomat e zhveshjes. Lojtarët kanë përdorur ambientet e stadiumit të Laçit, ku nuk është regjistruar asnjë incident i tillë me klubin mik që është kujtuar të reagojë dy ditë mbas përfundimit të sfidës.













