Bylisi beson te mbijetesa, Josa pret titullarët
Në Ballsh mbizotëron optimizmi, edhe pse Bylisi po e përballon këtë fund sezoni me mungesa të shumta në formacion. Veçanërisht gjatë fazës së katërt, skuadra ka pasur deri në 7-8 lojtarë jashtë për shkak dëmtimesh dhe skualifikimesh, çka ka ndikuar në rezultatet e ekipit. Megjithatë, mallakastriotët u rikthyen te fitorja pas afro një muaji, duke mposhtur Teutën dhe duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

Në tri javët e fundit, skuadra ka grumbulluar pesë pikë dhe tashmë synon të vazhdojë ecurinë pozitive edhe në ndeshjen e radhës në Shkodër, në një transfertë shumë të rëndësishme. Pas kësaj sfide, Bylisi do të presë Elbasanin dhe më pas do ta mbyllë kampionatin ndaj Vorës, në tri ndeshje që do të përcaktojnë fatin e skuadrës në elitë. Stafi teknik pret rikuperimin e disa lojtarëve të rëndësishëm si Stoilov dhe Përndreca, të cilët po kalojnë probleme fizike, por po punohet që të jenë gati për ndeshjet e mbetura. Ndërkohë, shqetësime ka për Olavio, Fokam dhe Sanogo, të cilët mund ta mbyllin sezonin para kohe për shkak të dëmtimeve.
Në kampin ballshiot nuk kanë munguar as ankesat për arbitrimin. Edhe në sfidën ndaj Teutës pati pretendime për një penallti në minutën e 72-të, pas një prekjeje të topit me dorë nga Boçi, por arbitri Jorgji dhe VAR vendosën të mos ndërhynin. Megjithatë, te Bylisi fokusi mbetet te ndeshjet e fundit. Objektivi është i qartë: të merren sa më shumë pikë, pasi rivalët për mbijetesë po ecin me të njëjtin ritëm. Skuadrës i duhet patjetër një fitore jashtë fushe dhe shanset janë në Shkodër ose në javën e fundit ndaj Vorës.
Trajneri Mirel Josa po punon intensivisht edhe me lojtarët e rinj, të cilët kanë dhënë sinjale pozitive. Futbollistë si Adepoju, Akibu, Buraneli dhe Emini kanë marrë minuta të rëndësishme, ndërsa Buraneli dhe Emini kanë rezultuar vendimtarë me golat e tyre ndaj Partizanit dhe Teutës. Me nëntë pikë ende në lojë, Bylisi e di se çdo ndeshje është një finale. Në Ballsh besojnë se, pavarësisht vështirësive, skuadra ka forcën për të siguruar mbijetesën dhe për të mbetur pjesë e elitës shqiptare.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













