Burreli në “udhëkryq” para Lushnjës, matjanët luajnë sezonin në 180 minuta. Lleshaj jep “sihariqin” për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 15:20

Burreli në “udhëkryq” para Lushnjës, matjanët luajnë sezonin në 180 minuta. Lleshaj jep “sihariqin” për sezonin e ri

Burreli e ka humbur ritmin në javët e fundit, një ecuri negative që e ka nxjerrë skuadrën jashtë zonës “play off” në momentin më vendimtar të sezonit. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta deri në fund, matjanët mbajnë vendin e tetë me 33 pikë, tre më pak se Kastrioti, që ndodhet në vendin e gjashtë, dhe pesë më shumë se Luftëtari, që mban vendin e nëntë, pozicion që të çon në zonën “play out”.

marjan lleshaj burreli

Situata është delikate dhe në kampin matjan po bëhet maksimumi për të lënë pas humbjen e fundit në Gjirokastër dhe për t’u rikthyer te fitorja në ndeshjen e radhës, ku Burreli do të presë në shtëpi Lushnjën, në një sfidë që tashmë konsiderohet vendimtare për fatin e sezonit. Për situatën aktuale të skuadrës dhe objektivat e së ardhmes, sekretari i klubit, Marjan Lleshaj, për “Panorama Sport” u shpreh: “Në Gjirokastër zhvilluam një ndeshje shumë të vështirë dhe me shumë rëndësi për të dy skuadrat. Ishte një përballje e luftuar fort, ku të dy ekipeve u bënte punë vetëm fitorja. Ndeshja u vendos nga dy episode në goditje standarde, por dua të vlerësoj shpirtin luftarak të skuadrës sonë. Ishte vërtet një ndeshje model për angazhimin dhe luftën sportive”. Duke folur për sfidën e radhës ndaj Lushnjës, Lleshaj theksoi rëndësinë maksimale që ka kjo ndeshje për skuadrën:

“Presim në shtëpi Lushnjën, një skuadër me traditë dhe që meriton respekt maksimal. E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por për ne është treni i fundit. Duhet të dalim me kokën lart nga kjo sfidë dhe ta fitojmë patjetër për të shpëtuar sezonin. Këtë detyrë duhet ta realizojmë edhe për tifozët matjanë, sepse ata meritojnë më shumë”. Sipas sekretarit të klubit, Burreli meriton të jetë më lart në renditje, madje objektivi afatgjatë është rikthimi i skuadrës në nivele më të larta: “Burreli duhet të jetë më lart në klasifikim, pse jo edhe në Superiore. Shpresojmë që sezoni i ardhshëm të na gjejë me një president të ri, pasi ka emra që e duan sportin dhe kanë shprehur dëshirën për të ndërtuar një Burrel më të madh. Po flitet për një projekt serioz rindërtimi, si te grupmoshat ashtu edhe te ekipi i parë, me synimin për të luftuar për Superiore. Sporti kërkon financa dhe projekte dhe shpresoj që këto të mos mungojnë në vazhdim. Tani për tani jemi të fokusuar vetëm te mbyllja e këtij sezoni. Më pas do të shohim për projektet e reja dhe për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm”.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL