Burreli me gjysmë ekipi ndaj kurbinasve, kapiteni Dedgjonaj rikthehet kundër ish-ekipit
Skuadra e Burrelit udhëton drejt Laçit për ndeshjen e javës së 29-të të Kategorisë së Parë me disa mungesa të rëndësishme në formacionin bazë. Për këtë përballje, matjanët nuk do të jenë në dispozicion Donald Mëllugjën, Silas Mensah, Ildi Xhakën, Albi Xhabrahimin, Patrik Fetajn dhe Jurgen Pasmaciun. Kpaiteni Mëllugja është i pezulluar për shkak të katër kartonëve të verdhë, pasi ka plotësuar numrin katër, ndërsa futbollistët e tjerë pritet të mungojnë për shkak të dëmtimeve.
Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për Burrelin, pasi një hap fals ndaj bardhezinjve mund të “minojë” dukshëm objektivin e skuadrës për të përfunduar në gjashtëshen e parë të klasifikimit. Pas kësaj përballjeje, kalendari i Burrelit rezervon sfida të forta, ku presin e Skënderbeun në stadiumin “Liri Ballbani” dhe më pas transfertat e vështira, përfshirë atë të Gjirokastrës, ku skuadra do të luftojë për të mbajtur vendet e larta në renditje. Një lajm pozitiv për matjanët është rikthimi i kapitenit Aleks Dedgjonaj, i cili do të jetë në dispozicion pas disa javësh mungese për shkak të dëmtimit. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Dedgjonaj shprehet: “Ndeshja me Laçin do të jetë një përballje e fortë.
Vlerësimi ndaj kundërshtarit do të jetë maksimal. Ne do të tregojmë se skuadra ka potencial jo vetëm për t’u ndeshur si e barabartë, por edhe për të tentuar suprizën”. 30-vjeçari Dedgjonaj, pjesë e Burrelit që nga shtatori i 2018-ës, ka qenë prezent në 22 ndeshje këtë sezon, duke bërë paraqitje të qëndrueshme. Pas 28 javësh, skuadra e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj ndodhet në vendin e gjashtë me 33 pikë dhe një diferencë golash 21-35, duke treguar se objektivi i përfundimit në gjashtëshen e parë mbetet i arritshëm, por kërkon përqendrim maksimal në pesë javët e mbetura. Sfida ndaj Laçit është një test i rëndësishëm për Burrelin, ku rikthimi i kapitenit dhe strategjia e menaxhimit të mungesave mund të bëjnë diferencën për të ruajtur pozicionin dhe për të synuar objektivat e sezonit. Gjithsesi një numër kaq i lartë mungesash, mund të ndikojnë ndaj një kundërshtari si Laçi, aq më shumë që luhet në transfertë.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL













