Burreli kërkon kthesën, Fetaj: Lushnja, finale që duhet fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2026 | 11:36

Burreli kërkon kthesën, Fetaj: Lushnja, finale që duhet fituar

Jo vetëm pozicioni në renditje dhe afërsia me rivalët më të afërt, por edhe periudha e gjatë pa fitore e bën sfidën ndaj Lushnjës tepër të rëndësishme për Burrelin. Fitorja e fundit e matjanëve daton në fillim të shkurtit, në transfertë ndaj Lushnjës, ndërsa në stadiumin “Liri Ballabani” suksesi i fundit është ai ndaj Apolonisë më 17 janar. Kjo situatë e bën përballjen e radhës ndaj lushnjarëve, që do të zhvillohet pikërisht në “Liri Ballabani”, mjaft delikate dhe interesante për ecurinë e skuadrës në javët e fundit të kampionatit.

marjan lleshaj burreli

Humbja ndaj Luftëtarit është lënë pas dhe te Burreli e gjithë vëmendja është përqendruar te Lushnja. Me shumë mundësi, skuadra do të zbresë në fushë me formacionin më të mirë, me objektivin e vetëm marrjen e tri pikëve. Mbrojtësi lezhjan, Patrik Fetaj, i cili është në sezonin e tij të tretë me matjanët, thekson se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj Luftëtarit, pavarësisht humbjes. “Pavarësisht humbjes ndaj Luftëtarit, zhvilluam një ndeshje të mirë. Episodet ishin ato që përcaktuan fatin e takimit”, shprehet shkurt Fetaj.

Për mbrojtësin lezhjan, ndeshja ndaj Lushnjës ka peshën e një finaleje, pasi çdo hap fals mund të komplikojë ndjeshëm pozitat e skuadrës dhe ta afrojë rrezikshëm me zonën “play out”. “Është një ndeshje që e kemi vlerësuar në të gjithë parametrat. Marrja e tri pikëve është objektivi ynë i vetëm. Për vetë pozitat ku ndodhet skuadra, ndeshjen e nesërme e konsideroj një finale të vogël. Jemi të karikuar për të dhënë maksimumin dhe jam optimist se do ta kalojmë me sukses.

Përveç rëndësisë së pikëve për renditjen, kemi edhe një motiv tjetër, pasi është ndeshja e fundit e kampionatit para sportdashësve tanë”, deklaroi Fetaj për “Panorama Sport”. Sfida ndaj Lushnjës merr rëndësi edhe më të madhe duke parë kalendarin, pasi në javën e fundit Burreli do të luajë në transfertë ndaj Apolonisë. Nga ana tjetër, edhe fierakët do të kërkojnë me çdo kusht pikët, për shkak të pozitave delikate në renditje. Pikërisht për këtë arsye, Burreli synon të mos gabojë në shtëpi ndaj Lushnjës, në mënyrë që të sigurojë një pozicion më të qetë përpara ndeshjes së fundit të sezonit.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL