Burreli e mbylli sezonin në vendin e 7-të, trajneri Nikaj: Mund të bënim më shumë si ekip
Pas përfundimit të 33 ndeshjeve, skuadra matjane u rendit në vendin e shtatë me 37 pikë dhe me golaverazh 27-45. Në fillim të kampionatit, drejtuesit matjanë kishin shpallur objektivin e pozicionimit në gjashtë vendet e para, por ndeshjet e fazës së tretë rezultuan aspak pozitive.

Nga 14 humbjet e pësuara gjatë gjithë sezonit, gjashtë prej tyre erdhën pikërisht në fazën e tretë, duke ndikuar drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare. Pozicionimi në mesin e tabelës bëri që ndeshja ndaj Apolonisë të mos kishte shumë peshë, duke përfunduar në barazim dhe duke i shërbyer më tepër trajnerit për të aktivizuar lojtarët e rinj dhe ata me më pak minuta gjatë sezonit. “Ndeshja ndaj Apolonisë ngjau më tepër si një miqësore, pasi skuadrat nuk kishin motivin e duhur dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Duke qenë se ndeshja nuk kishte peshën e zakonshme, preferuam të aktivizonim futbollistë të rinj dhe ata që kanë pasur pak hapësira gjatë kampionatit”, u shpreh për “Panorama Sport” trajneri i matjanëve, Samuel Nikaj. Pozicionimin në vendin e shtatë, trajneri shkodran e konsideron relativisht pozitiv, ndonëse pranon se skuadra mund të kishte bërë më mirë. “Tani është koha për të bërë një analizë të thellë të këtij sezoni. Vendin e shtatë e quaj të mirë, pasi lamë pas skuadra me emër në futbollin shqiptar, si Kukësi, Luftëtari, Apolonia dhe Lushnja”, përfundoi Nikaj. Pas ndeshjes së fundit ndaj Apolonisë, futbollistët kanë nisur pushimet, në pritje të datës së fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri.
Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL













