Botërori i shtangës, shqiptarët me sytë nga Kofsha! Talenti nga Shtërmeni mbyll sot garat e Kombëtares në Norvegji
Pas konkurrimit të hënën të dy ikonave të peshëngritjes, Briken Caljes dhe Erkand Qerimajt, të cilët nuk arritën të futeshin në top10, Shqipëria do të mbyllë sot përfaqësimin e saj në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Forde të Norvegjisë që prej datës 2 tetor.
Këtë herë radhën për të garuar e ka Ertjan Kofsha, i cili konsiderohet edhe si talenti më i madh dhe më premtues në peshëngritjen shqiptare. Pas ka mahnitur prej vitesh në radhët e moshave në arenën ndërkombëtare, tashmë Kofsha thirret në apel për të matur forcat me të rriturit. 20-vjeçari nga Shtërmeni, i stërvitur nga trajneri Leonard Toska, do të garojë në peshat 94 kilogramë.
Kofsha do ta nisë nga Bateria C, një bateri që e fillon konkurrimin sot në orën 14:00. Kjo do të jetë një eksperiencë e rëndësishme për peshëngritësin shqiptar, i cili është ende në moshë për të garuar me të rinjtë. Pikërisht në garat për të rinj janë edhe objektivat kryesore të Kofshës, ashtu sikurse e ka deklaruar edhe vetë para Botërorit trajneri i tij, Leonard Toska.
“Në Botërorin e të rriturve, në Norvegji, Ertjani do të synojë të thyejë rekorde 9 europiane për të rinj. Është një objektiv i madh, por ne besojmë se do ta realizojmë dhe do të hyjmë në histori. Po në tetor do të zhvillohet edhe Kampionati Europian për të rinj në Durrës. Kjo do të jetë gara e tij, ku synimi është të shpallet kampion Europe dhe të thyejë sërish rekorde. Pas kësaj gare, do të marrim pjesë në Lojërat Islamike, ku gjithashtu do të kërkojmë rezultate shumë të mira. Më pas, do të vijojë Kampionati Ballkanik, një tjetër ngjarje e rëndësishme, ku ne do të japim maksimumin për të qenë më të mirët”, është shprehur Toska për “Panorama Sport”.
PANORAMASPORT.AL













