Bordin në mendime të thella, luhet 4-4-2 apo 4-3-3?
Trajneri i Tiranës, Roberto Bordini, po punon me kujdes në përgatitjet për ndeshjet e ardhshme, duke sjellë ndryshime taktike dhe spostime pozicionesh që synojnë të përmirësojnë ekuilibrin mes mbrojtjes dhe sulmit.

Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me Georgios Valerianon, i cili prej dy javësh është zhvendosur nga krahu i majtë në qendrën e mbrojtjes, duke u bërë shtylla e linjës defensivë. Ndërkohë, Vera ka lënë krahun e djathtë dhe ka kaluar në krahun e majtë, duke rritur mbulimin dhe organizimin në mbrojtje. Haxhiu, i cili deri më tani ka luajtur si sulmues, rikthehet si mbrojtës i djathtë, për të sjellë fleksibilitet në prapavijë.
Kjo javë shënon edhe rikthimin e Rafaelit, i cili mungoi në disa ndeshje dhe pritet të ketë ndikim të madh në strukturën e mesfushës. Dilemat kryesore lidhen me vendet për Voglin, Rafaelin, Solerin dhe Patsatsian, të cilët konkurrojnë për tre pozicione në mesfushë. Trajneri Bordin ka dy opsione kryesore për formacionin anti-Vllaznia.

Me skemën 4- 4-2, struktura e ekipit mbetet e ngjashme, pa ndryshime të mëdha në organizim. Me 4-3-3, ndryshimi bëhet i dukshëm, në sulm do të luajnë Tabeku, Fernandez dhe një nga dyshja Falaje-Mensah. Këto zgjedhje tregojnë frymën eksperimentale të Bordinit dhe dëshirën për të gjetur kombinimin optimal që mund të maksimizojë performancën e Tiranës, ndërsa sezoni i Superiores vazhdon me sfida të forta.
PANORAMASPORT.AL













